E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluturime akrobatike në shfaqjet “Të kapërcesh ylberin”dhe “Qielli pikon yje”

Stacioni i 50-të i Cirkut Shqiptar është një ngjarje e rëndësishme për Cirkun e Metropolit, është koha kur në këtë arenë po gërshetohen bukur eksperienca e mjeshtrave të traditës dhe freskia e eleganca e artistëve të së sotmes, koha kur prekja me artin bashkëkohor nuk është më një mision i pamundur për sfidantët e lartësive. Cirku edhe sot pas 50 vitesh vazhdon të joshë publikun me numrat e larmishëm që ofron, duke filluar nga numrat akrobatike, ekulibri, numrat e ajrit, zhonglerët, kllounata etj. Për artistët dhe spektatorin e kudondodhur, 50-vjetori i Cirkut është ora e një fati të madh. Artistët e arenës, akrobatët, ekuilibristët, xhonglerët dhe artistët e ajrit e pritën këtë ngjarje artistike me shfaqjen më të re të Cirkut të Metropolit, të titulluar “Të kapërcesh ylberin”. Një shfaqje, e cila që në javën e parë solli një rekord shikuesish dhe po tregon njëherësh ndryshimin dhe zhvillimet më të reja, të ndodhura këto vitet e fundit në këtë arenë. Në fillim premiere drejtori i Qendrës Metropolitane, z. Kiço Londo u shpreh: “Jemi krenarë që në këtë premierë të 50-vjetorit kemi prezent legjendën e gjallë të Cirkut Shqiptar, Telat Agollin dhe njëherësh edhe shpresën që na falin talentet e reja si akrobatet e Studios së Cirkut, që tregojnë vazhdimësinë, pasionin, ëndrrën, që nuk u ka munguar asnjëherë artistëve të këtij arti”. Ajo që vlen të përmendet në këtë premierë është gërshetimi i refleksioneve personale, eksperiencës artistike të mjeshtrave të arenës me elementët dramaturgjikë, me skenografinë, krijimet muzikore dhe ndriçimin, që shënon hapa në rritje në këtë art të lartësisë, rrezikut dhe sfidave të reja. Në një strategji të re të afrimit me publikun, në një konceptim dhe riorganizim të gjithë numrave artistikë, kjo premierë do të ndiqet nga shfaqja“Qielli pikon yje”.

25 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›