E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspozita "Stop dhunës" me penelat e fëmijëve

Një ekspozitë e veçantë është çelur dje në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë. Ekspozita "Unë nuk e pranoj dhunën" kishte për autorë nxënës të shkollave 9-vjeçare të Tiranës. Në këtë ekspozitë, që u vizitua edhe nga kreu i Kuvendit, Jozefina Topalli, u ekspozuan rreth 100 punime, në të cilat prezantohet mospranimi i dhunës në familje, parë nga këndvështrimi i fëmijëve. "Kam nevojë për ngrohtësi", "Ne jemi engjëjt e dashurisë, engjëjt e lumturisë", "Jo dhunës, po paqes", "Nuk e durojmë dot dhunën, duam dashuri", "Duam paqe në botë", "Mos na i vrisni ëndrrat", ishin disa nga mbishkrimet që fëmijët kishin vendosur mbi pikturat e tyre, ku mbizotëronin lulet, që nënkuptojnë mesazhin "mos më prek". Në çelje të ekspozitës, kryetarja Topalli, e shoqëruar nga mësuesja e pikturës në Liceun Artistik, Drita Saliu, dhe piktori Gjovalin Paci, shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për të rinjtë që u bënë pjesë e kësaj fushate. "Siç e shikoni, sot këtu në Parlament janë mbi 250 fëmijë. Unë nuk e kisha imagjinuar që do të vinin kaq shumë. Janë fëmijë që vijnë me pikturat e tyre nga 56 shkolla, të cilët i janë bashkuar fushatës sonë kundër dhunës. Po të shikoni, në të gjitha pikturat e tyre janë shkruar vetëm fjalët: "Ne nuk e duam dhunën", "Ne nuk e pranojmë dhunën", "Stop dhunës" etj. Të tjera piktura kanë gjithnjë pëllumbin në mes dhe fjalët paqe e dashuri. "Për të gjithë fëmijët e kësaj bote njerëzit më të rëndësishëm nuk janë as kryetarët e shteteve, as kryetarët e organizatave ndërkombëtare, por janë vetëm prindërit e tyre", tha Topalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›