E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferguson, "jo" Barçës dhe Interit

Sër Aleks Ferguson është padyshim një nga legjendat e futbollit anglez. Që prej vitit të largët 1986 ai drejton Mançester Junajted, praktikisht një jetë të tërë. Gjithsesi, do të kishte mjaftuar një "po" e thënë në momentin e duhur, që skocezi të shkruante një histori krejt të ndryshme, që mund ta kishte parë në krye të stolit të Barcelonës ose tek Interi. Prapaskena është zbuluar nga vetë trajneri, për britaniken "Daily Mirror". "Në periudhën kur isha tek Aberdeni më kontaktoi Barcelona, rrëfeu Ferguson, pasi Terri Fenejbëlls më kishte rekomanduar te drejtuesit e klubit spanjollë. Nëse do të kisha pranuar mendoj se ajo do të ishte një sfidë shumë e bukur në të gjitha pikëpamjet: si nga ana profesionale, pasi do të stërvitja Barcelonën, por edhe personale, pasi do të më duhej të përshtatesha me një mënyrë tjetër jetese dhe do të më duhej të mësoja një gjuhë të re". Gjithsesi, në fund marrëveshja nuk u arrit dhe Ferguson u vendos në krye të Mançesterit, duke bërë një punë të admirueshme. Aq shumë u spikat në krye të skuadrës angleze, saqë brenda një kohe të shkurtër ai zgjoi interesin e një tjetër klubi të huaj, kësaj radhe italian. "Interi tentoi të më punësonte dhe pak vite më parë Masimo Morati më kontaktoi. Megjithatë, kur stabilizohesh në një klub si Mançester Junajted është shumë e vështirë që të largohesh. Me një ambient të tillë ndihesh shumë i lidhur dhe çdo gjë që ndodhet aty bëhet jeta jote. Kjo është arsyeja përse kjo skuadër është kaq e veçantë". Një ekip aq i veçantë, sa përveç stërvitjes, skocezit do t‘i pëlqente edhe të luante: "Shoh Kristiano Ronaldon, Runin apo Gigs dhe futbollin e jashtëzakonshëm që ata janë në gjendje të prodhojnë. Shpesh mendoj se do të më pëlqente të zbrisja në fushë përkrah tyre dhe jam i sigurt se do të arrija të shënoja edhe disa gola".

Dëshira ka lindur edhe për një tjetër arsye. Krejt ndryshe nga karriera e shkëlqyer si trajner, me 20 trofe të fituar në 21 vite me "Red Devils", Sër Aleks Ferguson nuk ka pasur të njëjtin shkëlqim si futbollist. "Është e vërtetë, por ato që kam fituar duke qëndruar në pankinë, kanë shpërblyer pa masë zhgënjimet e periudhës kur isha lojtar". Trajneri ka reflektuar edhe rreth së ardhmes, e duket se e ka marrë një vendim: kur do të largohet nga "Olld Traford" nuk do të qëndrojë në klub, në ndonjë detyrë si zyrtar. "Nuk kam ndërmend të bëhem drejtor sportiv i klubit, pasi kjo nuk më duket e drejtë në lidhje me pasardhësin tim në stol, ka shpjeguar ai. Do të bëj rolin e ambasadorit, pak a shumë si Sër Bobi Çarlton dhe do të mbështes maksimalisht trajnerin që do të drejtojë skuadrën pas largimit tim, pasi të stërvitësh Mançester Junajted është mjaft e vështirë. Ashtu sikurse është e vështirë të mendoj se një ditë duhet të tërhiqem, por e di që kjo do të ndodhë dhe duhet të përgatitem ta përballoj".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›