E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hicfeld, ankesa për "futbollin e bukur"

Otmar Hicfeld, trajneri i Bajernit të Mynihut është shprehur i pakënaqur nga dëshira e skuadrës së tij për të luajtur "futboll të bukur", ndërkohë që pretendonte me çdo kusht marrjen e tre pikëve në sfidën me Duisburgun. Pavarësisht se kanë dominuar në të gjitha aspektet lojën, bavarezët janë frenuar në rezultatin surprizë 0-0, duke mos mundur të shënojnë edhe pse kundërshtarët ishin në inferioritet numerik. Gjithsesi, pasojat e këtij rezultati ishin minimale, pasi ndjekësi më i afërt, Verder Bremeni, është mundur në fushën e Hanoverit. Reparti sulmues i Bajernit, i tejmbushur me yje, ku bëjnë pjesë Riberi, Klose e Toni (tre blerjet e verës me kosto 49 milionë euro) nuk arritën të çanin mbrojtjen mike, pavarësisht se deri në këtë pikë të sezonit Duisburgu ka pësuar 25 gola. Përpara ndeshjes, lojtarët e Bajernit deklaronin se do të fitonin pa probleme, pasi duhej të konfirmonin se e meritojnë titullin kampionë në fund të sezonit. Gjithsesi, situata është e vështirë dhe janë statistikat ato që tregojnë problemet: vetëm 2 fitore në tetë ndeshjet e fundit. "Në fushë na mungoi pasioni dhe dëshironim që të fitonim duke luajtur futboll të bukur", pohoi Hicfeld. "Jam i zhgënjyer nga barazimi edhe sepse dëshironim të fitonim në mënyrë që të siguronim vendin e parë, gjithsesi faji është vetëm i yni. Pas çdo minute që kalonte loja bëhej akoma më e vështirë, ndërkohë që duhej ta kishim zhbllokuar rezultatin që në mundësitë e krijuara në fillim të takimit. Ishim shumë statikë në lojën tonë dhe pothuajse në të gjitha aspektet kemi dhënë sinjalet e gabuara". Bajerni ka edhe dy ndeshje për të luajtur, përpara pauzës së dimrit. Sfida finale në kampionat është ajo e së shtunës, ku në "Olimpia Stadium" do përballen me vendasit e Herthës së Berlinit, ndërkohë që më 19 dhjetor do të presin në "Alianz Arena" Arisin e Selanikut, në takimin e vlefshëm për fazën e grupeve në Kupën UEFA.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›