Sot regjistrohen studentët e fazës së 4-t
Afro 300 studentë do të regjistrohen në vit të parë. Ata kanë fituar fakultetin nga raundi i katërt. Kështu, të gjithë atyre që iu ka dalë emri si fitues pranë fakultetit ku kanë konkurruar, mund të paraqiten pranë sekretarive për t‘u regjistruar si studentë. Ministria e Arsimit bëri të ditur dje për "Shqip" se regjistrimet janë të hapura nga data 10 deri më 15 dhjetor. Pas këtij afati ata e humbasin shansin për të marrë statusin e studentit. Për shkak të procedurave të përzgjedhjes së fituesve, këta të rinj shkojnë në fakultet me dy muaj e gjysmë vonesë. Sipas rregullave të maturës, në fillim janë përzgjedhur fituesit që kishin pikë maksimale. Por jo të gjithë ata që u shpallën fitues u regjistruan. Kështu mbeten vende të lira. Në këto degë u regjistruan ata kandidatë që ishin më parë vijës. Kjo procedurë u zgjat sërish. Mosregjistrim - kuota bosh - regjistrime të reja, deri sa mbërriti te raundi i katërt i regjistrimeve. Emrat e fituesve të këtij raundi u shpallën 4 ditë më parë. Ndërsa sot ato mund të regjistrohen. Për këtë duhet të jenë të pajisur me dokumentet përkatëse. Një nga kushtet është edhe pagesa e tarifës së regjistrimit në shumë e 2000 lekëve. Në bazë të listave të afishuara pranë çdo fakulteti kryhen edhe regjistrimet. Ndryshe nga vitet e tjera, fituesit janë shpallur nga Ministria e Arsimit dhe jo nga universitetet. Ata iu nënshtruan sistemit meritë -preferencë, që kishte edhe kontestime. Problemi kryesor që u has këtë vit ishte listimi i degëve, ku kishin shënuar në formular degë për të cilat më pas kandidatët i cilësuan si jo të preferuara për ta. Të dhënat tregojnë se në regjistrimet e raundit të katërt studentët do të shkojnë të studiojnë në fakultetet rajonale, pasi në Tiranë nuk ka pasur më degë të lira që nga raundi i dytë.