Rosberg rinovon me Uilliams deri më 2009
Niko Rosberg rinovon kontratën me Uilliams, skuadër ku do të garojë deri në vitin 2009. Lajmin e ka bërë të ditur vetë piloti në një intervistë për "Bild", duke hedhur poshtë zërat që e lidhnin me MekLarenin, si zëvendësuesin e Fernando Alonsos. "Uilliamsi më bëri një ofertë të mirë në kontratën e re, ku përfshihej edhe rritja e rrogës, e unë vendosa ta pranoj", pohoi ai. "Jam i lumtur që do të qëndroj edhe për dy vite të tjera. Për shumë kohë gazetat flisnin për kalimin tim te Meklareni, ku do të zëvendësoja Alonson. Gjatë kësaj periudhe jam zbavitur, por e dija që këto zëra nuk ishin aspak të vërteta".