E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspozita me fotografi të Ismail Kadaresë shkon në Maqedoni

TIRANE- Pas Pogradecit, ekspozita fotografike kushtuar Ismail Kadaresë këto ditë do të udhëtojë në shtetin fqinj, në anën tjetër të liqenit, në Ohër dhe Strugë dhe më pas në drejtim të Prishtinës. Nismëtari dhe realizuesi i kësaj ekspozite është studiuesi dhe miku i ngushtë i Kadaresë, Vaso Samsuri. Ekspozita fotografike përmbledh mbi 60 punë të realizuara nga viti 1986-2009. Në pamjet që të afron, ekspozita të sjell shënimin e kohës, ngrirjen e çasteve të veçanta historike. Kadareja në këtë ekspozitë transmeton një filozofi të vetën, një morfologji dhe një sintaksë tjetër, një "ligjërim" të ri me atë portret aq interesant dhe meditativ, ku shfaqet një portret piramidal me ndjenja madhështore nga manastiri i Shën Naumit në kishat e Voskopojës, shkrimtari mediton para atyre vlerave të kulturës kombëtare dhe shpeshherë duket si një profet. Vendosja e Ismail Kadaresë në sfondin lasgushian dhe kutelian, që me artin e tyre falën përjetësinë me perëndimet e vagëlluara, mbrëmjet si pëlhurë dhe si hije, pasqyrimi i shndritshëm, dergjjet e përgjumshme, vetëtitjet e liqenit në magji, qetësia e tij, zalli i shkretuar, shkrumbi i natës, pritjet metafizike të varkave, janë sfondi i ri i gjigantit të letrave shqipe përreth liqenit të Ohrit. Në këtë ekspozitë shihet një Kadare tjetër, intim, i qeshur me shokët, miqtë, me familjen në piknik e udhëtime, shëtitjet …Shumë herë shkrepjet e aparatit të Samsurit kanë qenë të befasishme dhe shohim një Kadare tjetër, që nuk e kemi parë më përpara; përjetojmë një ndjenjë krejt të veçantë. Ekspozita u realizua me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, dhe Bashkisë së Pogradecit.(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›