E Diel, 1 Nëntor 2026

TEC-i i Vlorës pas disa ditësh për prodhimin e energjisë

Drejtori i Përgjithshëm i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), Muharrem Stojku ka deklaruar, se komisionimi i përgjithshëm i objektit do të bëhet në datën 15 shkurt në prani të përfaqësuesve të palëve dhe kompanisë ndërtuese italiane, TECMOND.      "Në 15 shkurt do të mbyllen të gjitha procedurat e provës së përgjithshme në ngarkesë dhe TEC-i do të jetë gati për t’u futur në procesin e prodhimit", tha Stojku. Ai sqaroi se janë marrë të gjitha masat dhe është siguruar sasia e nevojshme e lëndës djegëse(naftë) për këtë qëllim.      Për shkak të situatës së favorshme hidrike që ka aktualisht vendi, kreu i KESH shtoi se pas provës, TEC-i do të mbahet në gatishmëri, ndërsa në periudhën e verës do të bëhet pjesë e prodhimit të energjisë elektrike.      Ndërtimi i TEC-it të ri, 7 km në veriperëndim të qytetit të Vlorës, përbën investimin e parë pas rreth tre dekadave në sistemin e prodhimit të energjisë në vend. Sistemi i prodhimit të TEC-it do të jetë i alternuar. Turbina e gazit do të realizojë 2/3 e kapacitetit të prodhimit të TEC-it, ndërsa ajo e avullit do të gjenerojë pjesën tjetër të këtij kapacitetit.     Punimet për ndërtimin e TEC-it në Vlorë nisën në shtator 2007. Projekti me një vlerë prej rreth 92 milionë euro, është financuar nga Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim(BERZH), Banka Evropiane e Investimeve(BEI), si dhe KESH.                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›