E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspozita për Nënë Terezën tërheq vëmendjen në Pallatin e Qelqtë

Në selinë e Kombeve të Bashkuara, u hap ekspozita ""Të jetosh me Dashurinë e simbolit dhe Dinjitetit të Njeriut", organizuar nga Fondacioni “Nënë Tereza”, nën kujdestarinë e Dr.Liri Berishës

Në hollin e delegatëve pallatit te "Qelqtë", ndërtesën e Kombeve te Bashkuara, në Nju Jork, u çel për herë të parë përpara disa qindra pjesmarrësve, më 26 Prill, ekspozita "Të jetosh me Dashurinë e simbolit dhe Dinjitetit të Njeriut", e cila i dedikohet nobelistes shqiptare Nënë Tereza. Ajo çelet në kuadrin e aktiviteteve të "Vitit të Nënë Terezës” - me rastin e 100-Vjetorit të lindjes së shenjtores. Ekspozita "Të jetosh me Dashurinë e simbolit dhe Dinjitetit të Njeriut", gjatë këtij viti jubilar, do të udhëtojë, siç thuhet nga njoftimi zyrtar - edhe në vende të tjera të botës. Ekspozita, ka kujdesin e veçantë të bashkëshortes së Kryeministrit të Shqipërisë, Dr. Liri Berisha, Presidente e Fondacionit “Nënë Tereza”. Ekspozita, kryesisht është e përqëndruar në simbole, dokumente, piktura, fotografi dhe skulptura të Nëna Terezës, prej vendlindjes së saj dhe derisa vdiq në Kalkuta. Në ekspozitë përfshihen edhe sende të tjera, kryesisht veshje popullore shqiptare të krahinës nga origjina e Nënë Terezës. Kjo ekspozitë shoqërohet edhe me një dokumentar të shkurtër ku flitet mbi vizitën e parë të Nënë Terezës në Shqipëri, në vigjilje të demokracisë dhe pluralizmit, kryesisht për të parë varrin e nënës së saj Drane dhe për të takuar motrën Age, e cila jetonte në Tiranë. Më pas, një vizitë zyrtare dhe e lirë në demokraci, u krye menjëherë pas pluralizmit, më 17 gusht 1992, nën kujdesin e Presidentit të atëhershëm, z.Sali Berisha. Ekspozita "Të jetosh me Dashurinë e simbolit dhe Dinjitetit të Njeriut", dedikuar Nënë Terezës, u vizitua nga personalitete të shquar të komunitetit në Kombet e Bashkuara. Në këtë eveniment, shumë prej tyre janë të dalluar nga fusha e kulturës, sportit, arsimit, punës sociale dhe administrimit, mjekësisë, politikës, afaristë e biznesmenë si dhe përfaqësues nga komuniteti shqiptar. Në mesin e vizitorëve të shumtë, ishin edhe disa ambasadorë të akredituar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Për të parë ekspozitën erdhi edhe ambasadori i Indisë Manjeev Singh Puri, i cili zhvilloi një bisedë të përzemërt me Dr. Liri Berisha, Presidente e Fondacionit “Nënë Tereza”. Duke folur për ekspozitën në Kombet e Bashkuara, bashkëshortja e Kryeministrit të Shqipërisë, Dr. Liri Berisha, tha se qëllimi i saj është që ta vendosim këtë ekspozitë edhe aty ku "shihen e takohen të gjitha kombet, kulturat e traditat e gjithë botës, stilet e mendimet dhe bindjet e ndryshme. Ne kemi bërë një përpjekje modeste, tha ajo, për të hedhur pak dritë mbi dritën, për të ndarë me ju dhe gjithë botën këtë trashëgimi të ēmuar, këtë thesar të vyer kombëtar, për të cilin të gjithë jemi krenarë”. Ajo theksoi se kjo ekspozitë u bë e mundur në sajë të kontributit dhe të një bashkëpunimi të shkëlqyer të qendrës së fondacionit në Nju Jork, por, edhe në sajë të kontributit bujar dhe të mirëpritur të disa prej anëtarëve të diasporës, si Harry Bajraktari, vëllezërit Serxhio e Zabit Bytyqi, Harri Sinanaj, restoranti Ben&Jack, Zef Balaj, Skënder Perolli e Demë Balidemaj. "Ju faleminderit! në emër të Qeverisë shqiptare, tha ambasadori i Shqipërisë, pranë Misionit të Përhershëm të OKB-së, shkëlqesia e tij, ambasadori Ferid Hoxha, që keni ardhur të vizitoni ekspozitën, e cila i dedikohet nobelistes shqiptare Nëna Terezë”. Dr Kiyotaka Akasaka - Sekretari i Përgjithshëm për Komunikacionin dhe Informacionin Publik, pranë OKB-së, e ka quajtur Nënë Terezën "Nëna e shërimit", e cila, sipas tij, ka arritur të prekë çdo qenie njerëzore në të gjitha barrierat dhe solli një ndryshim rrënjësor në jetën e të varfërve, të fëmijëve, të të sëmurëve dhe të jetimëve. Kiyotaka Akasaka tha se "Ajo ishte më shumë se një simbol i mëshirës, ajo ishte një fener i dashurisë, shpresë dhe kujdes për të varfrit anembanë botës. Atë e pamë si një shenjtore, si një humanitare që preku zemrat e të gjithë njerëzimit".

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›