Ekspozitë për Nirvanën
Pjesët e kitarës së parë të shkatërruar në një prej koncerteve të grupit nga Kurt Cobain, kaseta me këngët e para të grupit, tekstet e para të shkruara me dorë nga Cobain, por edhe pllakati i parë promotiv i grupit Nirvana, do të jenë disa prej objekteve që do të ekspozohen në ekspozitën ‘Nirvana-Taking Punk to the Masses’.
Ekspozita do hapet në Experience Music Project Science Fiction Museum, në Seattle (SHBA), dhe do të zgjas nga 16 deri më 22 prill.
“Doja të tregoja anën epike të grupit Nirvana, pra, atë se si u ndërtua grupi. Gjithashtu, doja të paraqes intimitetin e disa muzicientëve që vetëm donin të bënin rok muzikë”, theksoi Jacob McMurray, përgjegjës i kësaj ekspozite.
Basisti dhe bashkëthemeluesi i grupit Nirvana, Chris Novoselic, ndërkaq theksoi se “është e mrekullueshme që do të ketë një ekspozitë për Nirvana, sepse kjo tregon kontributin e grupit dhënë muzikës dhe kulturës”.
Ekspozita do të paraqes ngritjen profesionale dhe personale të grupit Nirvana, që nga viti 1980 e deri në vitin 1991, kur edhe u publikua albumi i njohur “Nevermind”.