Pesë shqiptarë, me video art në Itali
Aktiviteti
Marrin pjesë në konkursin ndërkombëtar “Catodica”
Një grup artistësh shqiptarë, Dorina Arapi, Dritan Hyska, Nertila Pere, Fani Zguro udhëhequr nga kuratorja Suzana Varvarica, janë pjesëmarrës në konkursin ndërkombëtar të video artit “Catodica”, i cili zhvillohet në Itali. Artistët shqiptarë do të prezantohen në edicionin e pestë të këtij konkursi me video që dëshmojnë vitalitetin kreativ të tyre, duke përcjellë kujtesën historike, ironinë, paradoksin apo leximin poetik të një të përditshmeje. Konkursi ndërkombëtar i Video Artit zhvillohet si një aneks i Festivalit të Filmit të Triestes. I kuruar nga Maria Campitelli, konkursi do të përmbajë një program me mjaft varietete, ku veprat pjesëmarrëse do të shpërfaqin tema të ndryshme, të cilat reflektojnë konsiderata personale mbi realitetin e përditshëm dhe paqartësitë e botës në të cilën jetojmë. Imazhi elektronik në lëvizje me të gjitha të rejat dixhitale, do të vazhdojë të mbetet në qendër të këtij manifestimi. Megjithatë një nga të rejat e këtij viti është se këtij imazhi do t’i bashkëngjitet edhe aksioni performues.
Pra do të ketë në këtë konkurs video-performanca, brenda të cilave lëviz jo vetëm video-arti, por edhe i gjithë kërkimi artistik bashkëkohor. “Catodica”, është një veprimtari artistike, e cila zhvillohet paralelisht me prodhimet kinematografike. E megjithatë karakteristikat e këtyre dy veprimtarive mbeten të ndryshme, si në qëllim ashtu edhe në mjete, edhe pse kinemaja ka përfituar prej formateve elektronike dhe dixhitale. Kjo veprimtari do të përfundojë me një koncert të grupit Port-Royal të Xhenovës. Konkursi ndërkombëtar i Video Artit do të nisë më 21 janar dhe do të përfundojë në datën 28 të po këtij muaji.
#