E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bevis Fusha, dritë dhe hije Ballkani në Stamboll

Ekspozita
Fotografi shqiptar është pjesë e një  ekspozite të përbashkët

Një ekspozitë lëvizëse kushtuar Ballkanit, atij të përditshmit, me njerëz të  thjeshtë e detaje njerëzore do të çelet në Galerinë e Arteve të Stambollit. “Dritë dhe hije në Ballkan”, kështu titullohet ekspozita, që më parë është çelur në Rumani e në Serbi, ndërsa pritet që të shëtisë edhe në vende të tjera gjithë vitit 2010. Në 80 fotografi në teknikën bardhë e zi, fotografi nga Turqia, Timurtas Onan, ai nga Shqipëria, Bevis Fusha, fotografi nga Bosnja, Milomir Kovaçeviç, rumuni Virgil Mlesnita, bullgarja Nina Nikolova, serbi Imre Szabo, kroati Stanko Abadzic dhe greku Stelios Efstathopoulos janë bashkuar në këtë nismë artistike të Fondacionit Grek për Kulturën “HCF”, që ka për qëllim të nxisë bashkëpunimin ndërkulturor. “Sot, ne jetojmë në një epokë globalizimi dhe ndryshimi i shpejtë gjeopolitik e kulturor, ka sjellë nevojën për t’u kuptuar më mirë midis popujve. Kjo ka marrë një domethënie të re”, shpjegon kuratorja e ekspozitës Magdalena Michailidou. Sipas saj, fotografia është një mënyrë artistike e të shprehurit, e cila çel një dritare të re në botën ku ne jetojmë dhe në botën që ne zotërojmë. “Imazhi është në gjendje të na marrë në udhëtime të largëta, por në të njëjtën kohë na sjellë më afër njëri-tjetrit. Kështu neve na jepet mundësia të njihemi me ndryshimet që kemi, por në të njëjtën kohë të kuptojmë edhe çfarë na bashkon”, shton ajo. Sa i përket artistëve pjesëmarrës, kuratorja shprehet se ata janë përzgjedhur në bazë të punës. “Disa prej artistëve unë i njihja mjaft mirë. Të tjerë m’u sugjeruan prej kolegëve ose kontaktuam përmes internetit. Ideja kryesore ishte të vihesha në kontakt me artistë, punët e të cilëve të ishin në stilin klasik, duke përdorur teknikën bardhë e zi të fotografisë. Të gjitha këto fotografi duhej të përshkruanin detaje nga jeta e përditshme e vendit të tyre”, shpjegon Michailidou. Fotografitë përcjellin të dhëna, aktivitete bashkëkohore artistike e krijuese, historinë dhe zhvillimin e rajonit ku jetojmë. Mënyra se si artistët kanë zgjedhur të përcjellin të përditshmen në Ballkan është ndryshme nga njëri te tjetri. Disa vijnë me nota më reale e të tjerë më romantikë, dikush përdor më shumë simbolikë e ndonjë vjen edhe me doza surrealiste. Temat vijnë kryesisht prej eksperiencave personale të secilit fotograf. Ekspozita “Dritë dhe hije në Ballkan” do të çelet më 9 shkurt në Stamboll të Turqisë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›