E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama ngroh marrëdhëniet me Lindjen, fton tre liderë në Shtëpinë e Bardhë

 

Presidenti Barak Obama ka hedhur një hap më tej në afrimin e marrëdhënieve me Lindjen e Mesme, duke ftuar në takime veç e veç kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, presidentin egjiptian, Hosni Mubarak dhe presidentin palestinez, Mahmud Abas, për të biseduar lidhur me procesin paqësor në Lindje. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, ka deklaruar se takimet e Obamës në Uashington do të duhej të mbaheshin para vizitës së tij në Francë, të caktuar për muajin qershor. “Obama do bisedojë me zyrtarët e këtyre vendeve për mënyrat se si SHBA të mund të forcojnë dhe aktivizojnë partneritetin me to si dhe për hapat, të cilët të gjitha palët duhet t’i ndërmarrin për arritjen e paqes midis Izraelit e palestinezëve dhe shteteve arabe”, ka theksuar Gibs. Qëndrimi i Obamës duket se po bind shumë vende me të cilat SHBA ka qenë në tension për vite të tëra të sistemojnë marrëdhëniet diplomatike. Falë ftesës për miqësi të Obamës për Iranin, ky vend ka bërë të ditur se i mirëpret bisedimet “konstruktive” me fuqitë botërore për programin e vet bërthamor, edhe pse insistoi se do të vazhdojë me aktivitetet e kontestuara bërthamore. Deklarata zyrtare e cituar nga televizioni shtetëror ishte përgjigje ndaj ftesës së gjashtë fuqive botërore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për të diskutuar rreth programit bërthamor iranian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›