Grabitën çiftet nga Fieri, gjendet makina e identifikohen autorët
Gjetja e makinës së grabitur katër ditë më parë në fshatin Skuraj të Kurbinit dhe këqyrja e sendeve të gjetura në të, si dhe deklarimet e dy çifteve nga Fieri, bënë të mundur identifikimin e grabitësve. Gjithashtu, policia zbardhi dje skemën e grabitjes dhe ka shpallur në kërkim autorët, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimore. Grabitja u zbardh plotësisht pas gjetjes së makinës me të cilën u krye grabitja nga dy të rinjtë, si dhe nga këqyrja e provave të gjetura në makinën e përdorur prej tyre. Sipas policisë, dy të rinjtë e pamaskuar terrorizuan me armë katër persona, të cilët po ktheheshin nga Kosova duke iu grabitur dhe makinën me të cilën udhëtonin. Burime nga grupi hetimor dhe policia e Lezhës bënë të ditur se në momentin e grabitjes në makinë ndodheshin 4 persona, Leonard Bano, 39 vjeç; Florian Vrioni, 26 vjeç; Esmeralda Bano, 30 vjeçe dhe Jonida Vrioni, 26 vjeçe, të gjithë lindur dhe banues në qytetin e Fierit. Grabitja ka ndodhur në afërsi të fshatit Skuraj të rrethit Kurbin, ku dy të rinjtë e armatosur kanë qëlluar tri herë në ajër dhe më pas kanë grabitur makinën tip “Wolksvagen – Sharon”, me targa FR 2789 D në pronësi të Leonard Banos. Menjëherë pas denoncimit të bërë në polici, forcat e Rendit të këtij rrethi janë vënë në lëvizje për zbardhjen e ngjarjes duke bërë të mundur dhe gjetjen e automjetit të grabitur nga dy të rinjtë. Makina është gjetur e braktisur në gropat e zhavorrit të kryera nga ekskavatorët e inerteve në luginën e lumit Mat, ndërmjet urës së re ku kalon autostrada Fushë-Krujë-Lezhë dhe urës së vjetër të Milotit. Sipas burimeve policore, bëhet e ditur se automjeti i braktisur i kishte xhamat e hapur, sendet personale të të dëmtuarve si çanta, portofole bashkë me çelësat e makinës të lëna në të. Nga matja që u bë me automjetin e Policisë Rrugore rezultoi se largësia e vendit të gjetjes së automjetit të vjedhur deri tek vendi i ngjarjes ishte rreth 6.5 kilometra. Gjithashtu bëhet e ditur se janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe është bërë transportimi i makinës së grabitur në një ambient të mbyllur dhe të siguruar në Drejtorinë e Policisë së Lezhës për t'u parë imtësisht nga ekspertë të Institutit të Policisë Shkencore Tiranë. Ndërkohë që vazhdon puna për kapjen e autorëve të ngjarjes të shpallur në kërkim, emrat e të cilëve për momentin nuk bëhen të ditur.