E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interpoli; Ekstradohen dy shtetas të dënuar për vrasje



Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana është bërë i mundur ekstradimi i dy shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje. Nga Frankfurt-Gjermani, me datën 08.09.2009, nga Interpol-Tirana u krye ekstradimi drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar Joni Lamaj, lindur më 12.07.1982, në Tepelenë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr. 58, datë 06.04.2005, ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Joni Lamaj, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim”, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Më datë 21.02.2005, rreth orës 21:00, në fshatin Dhërmi, Vlorë, shtetasi Joni Lamaj ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Jani Gjikuria, duke i shkaktuar vdekjen. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Wiesbaden u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë të shtetasit Joni Lame Lamaj. Ndërkohë nga Brukseli, Belgjikë, dy ditë më parë, nga Interpol Tirana u krye ekstradimi drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar Shaban Kokaj, lindur më 01.06.1967, në Llugaj, Tropojë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë, me vendimin nr. 67, datë 22.11.1991 e ka dënuar shtetasin Shaban Kokaj me 18 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes për motive të dobëta”, parashikuar nga neni 84/a i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Më datë 06.11.1990, pranë ndërmarrjes gjeologjike, në qytetin e Bajram Currit, rreth orës 14:00, shtetasi Shaban Kokaj në momentin që shtetasi Selamet Ndreu ka dalë nga ndërmarrja e ka sulmuar këtë të fundit me një thikë dhe një sëpatë të vogël që kishte me vete, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Si motiv për këtë ngjarje ka shërbyer një kontradiktë e mëparshme ndërmjet shtetasit Shaban Kokaj dhe vëllait të viktimës, Isa Ndreu, që në vitin 1984. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Brukselin në datën 07.04.2009 u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë të shtetasit Shaban Kokaj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›