Procesi, djali i çiftit Mula-Çako kërkon të jetojë me të atin
Nuk do jetë aspak e lehtë për çiftin Inva Mula e Pirro Çako, për të vendosur me kë do të rrijë i biri 14-vjeçar. Jo vetëm pse sopranoja e njohur e ka menduar si mjaft të lehtë këtë moment të divorcit, por sepse nuk kishte menduar që bashkëshorti dhe i biri do ia bënin edhe më të vështirë. Kantautori Pirro Çako ka kërkuar që për këtë moment të gjyqit të shtyhet edhe për disa javë seanca, me qëllim që ta mendojnë më mirë vendosjen e kujdestarisë prindërore. Ndërkohë që burime të besueshme bëjnë të ditur se djali i çiftit kërkon nga gjykata të jetojë me të atin, pasi nuk dëshiron të jetojë me njerk, pas vendimit të nënës së tij për t’u martuar sërish. “Unë dua të jetoj me babin tim, sepse mami do të martohet dhe unë nuk dua që të jetoj me njerk”. Ky ka qenë pohimi i bërë nga Antony Çako, djali 14-vjeçar i çiftit Inva Mula-Pirro Çako, të cilët janë duke u divorcuar në gjykatë, dhe dy nga pikat e rëndësishme të gjyqit janë kujdestaria e fëmijës dhe pasuritë e tyre. Në seancën e djeshme, e cila ishte parashikuar për t’u zhvilluar në orën 14:00 në Gjykatën e Rrethit të Tiranës, Pirro Çako nëpërmjet mbrojtëses së tij, Holta Kotherja, i është drejtuar palës paditëse, Inva Mulës, që të bien vetë dakord për kujdestarinë e djalit të tyre 14 vjeç. Por avokatët e sopranos Inva Mula kanë kërkuar kohë për të vendosur, kërkesë e cila është pranuar nga ana e gjyqtares Elona Gjoka. Madje, ajo ka sugjeruar që Pirro Çako dhe Inva Mula duhet të zgjedhin vetë kush do të mbajë kujdestarinë e djalit të tyre, Antony. Megjithatë, nga burime të besueshme bëhet e ditur se vetë djali duket se e ka zgjedhur prindin që dëshiron të kujdeset për të pas divorcit. Por, fjala e fundit pritet të thuhet më datë 5 tetor të këtij viti, sërish në orën 14:00, kur është caktuar edhe seanca e radhës për divorcin mes Mulës dhe Çakos. Ka qenë vetë sopranoja Mula që ka kërkuar ndarjen nga i shoqi, duke e argumentuar sipas saj, për moskonsumim të martesës.