E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradimet e realizuara dhe të mohuara të Drejtësisë shqiptare

Për gjashtë muaj janë sjellë në Shqipëri 28 të kërkuar për vepra të rënda penale

Luan Kondi

Tiranë – Plot 28 persona në kërkim janë ekstraduar nga Italia, Greqia, SHBA-të, Belgjika, Spanja, Polonia, Holanda dhe vende të tjera vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2008. Ndër të ekstraduarit, 13 akuzohen dhe disa madje janë dënuar për veprën penale të “vrasjes”, tre për vrasje të mbetur në tentativë dhe të tjerët për “trafik me qëllim prostitucioni”, “marrëdhënie seksuale me të mitura” apo grabitje dhe rrëmbime. Policia shqiptare ka në kërkim për vepra të ndryshme penale rreth 1900 persona, emrat e të cilëve i ka përcjellë edhe në policitë analoge. Thuajse përherë raportohen nga fqinjët dhe shtete të tjera me të cilat kemi marrëveshje ekstradimi kapje personash në kërkim. Përveç të ekstraduarve Drejtësia shqiptare po përgatit dokumentacionet edhe për disa të tjerë të arrestuar në Spanjë, Itali dhe Holandë.
Ekstradimet e vrasësve
I fundit në radhë të ekstradimeve të deritanishme është Ndue Harusham i ekstraduar vetëm disa ditë më parë nga SHBA-të, pasi kërkohej nga Drejtësia shqiptare për kryerjen e dënimit prej 23 vjetësh burg për vrasje që i kishte dhënë gjykata.
Arben Gjokeja është një tjetër i ekstraduar, pasi ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë. Robert Preni, i ekstraduar më 9 maj 2008, akuzohet për vrasje dhe është dënuar më 25 vjet burg. Po kështu në radhë vijnë persona të tjerë të kërkuar nga Drejtësia të ekstraduar më pas, si Saimir Xhebexhiu, Edmond Durraj. Një nga ekstradimet e suksesshme quhet kthimi në Shqipëri nga SHBA-të i Lorenc Balliut, ish-inspektor i Policisë Kriminale të Korçës, që është dënuar me 16 vjet heqje lirie për vrasjen e Gazmend Tahirllarit. E veçanta e ekstradimeve ka të bëjë me sjelljen në Shqipëri edhe të një gruaje. Lena Gjoni u ekstradua më 11 prill 2008 pasi kërkohej për një vrasje 11 vjet më parë. Më 11 mars të këtij viti është sjellë për të vuajtur dënimin prej 20 vjetësh edhe Albenc Ago, autori i vrasjes së Eva Vishajt, ngjarje në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në kilometrin 29. Një tjetër vrasës femrash i ekstraduar është Theodhor Lulo, autor i vrasjes së File Omerit, ngjarje e ndodhur në datën 21.11.2006 në rrugën rurale që të çon në fshatin Vehçan, Librazhd. Dritan Xhelita është një person që ka arritur të plagosë ish-shefin e Krimeve të Vlorës, Pirro Ymeri, teksa kishte shkuar të kryente detyrën në kontrollin e banesës së tyre.
Dështimet
Krahas sukseseve në ekstradimin e personave në kërkim Drejtësia shqiptare ka humbur betejën për të sjellë në Tiranë mjaft persona VIP të krimit. Izet Haxhia, që u arrestua në Turqi pas tetë viteve arrati, është një person që ka mundësi të mos ekstradohet. Ai kërkohej pasi ishte dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Haxhia u arrestua nga policia turke në zonën turistike të Kushadasit në qytetin e Antalias. I shumëkërkuari 40-vjeçar, deri në fund të vitit 2004 kishte qëndruar në qytetin e Stambollit për t’u transferuar më pas në zonën turistike të Antalias. Me arrestimin e Izet Haxhisë u mbyll përfundimisht cikli i dosjes “Hajdari”, e cila është cilësuar për vetë objektin e hetimit dhe gjykimit të saj edhe si “dosja e shekullit”. Aldo Bare, Enver Dondollaku, duket se e kanë “mbyllur llogarinë” me drejtësinë pasi ata nuk ekstradohen nga Turqia dhe Italia. Hamdi Haklaj mori azil në Suedi, ashtu sikurse një gjë të tillë duket se do ta përfitojë edhe e motra e tij, Zylfija. Po ashtu është dënuar në mungesë pjesa më e madhe e grupit kriminal “Hakmarrja për drejtësi”. Orik Shyti, Kreshnik Spahiu e dy vëllezërit Pasho dhe Nikolin Novruzaj, kanë marrë të drejtën e azilit.

Box

1. Ndue Harusha

02.07.2008

Ndue Harusha

Dënuar me 23 vjet heqje lirie për vrasje

Ishte larguar pas krimit të dyfishtë, por edhe në Amerikën e largët nuk ka mundur të fshihet për më shumë se 13 vjet. Ndue Harusha, 66 vjeç, do të vuajë dënimin e dhënë nga Drejtësia shqiptare. Ekstradimi i tij u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, më vendimin numër 202, datë 23 tetor të vitit 1996, e ka dënuar me 23 vjet heqje lirie për veprat penale: “Vrasje”, “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, parashikuar nga nenet 76, 76-22-23 dhe 278/2 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës, në datën 30 gusht të vitit 1995, rreth orës 21:00, në lokalin e Ndue Harushës janë grindur më njëri tjetrin Metush Ujka dhe Gjon Harusha. Për këtë grindje është vënë në dijeni Artur Ujka, i cili ka shkuar për të ndihmuar të atin e tij, shtetasin Metush Ujka. Në grindje e sipër, Ndue Harusha ka qëlluar më pistoletë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme Metush Ujkës dhe ka plagosur rëndë djalin e tij, Arturin. Menjëherë pas kryerjes së krimit Harusha është larguar nga Shqipëria, por është arrestuar 13 vjet në pas nga policia e Nju Jorkut.

2. Arben Gjokeja

Ekstraduar më 13.06.2008

Ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë

Interpol Tiranës kreu ekstradimin nga Italia drejt Shqipërisë të Arben Gjokejas, lindur më 15.11.1971 në Derven-Krujë. Ekstradimi i shtetasit Arben Gjokeja është bërë pasi në datën 18 qershor 2005, pranë fshatit Gjuricaj, Ishëm, së bashku me shtetasit Kastriot Gjokeja dhe David Gjokeja kanë vrarë për motive të dobëta shtetasit Eduard Gjokeja, Oligert Gjokeja si dhe kanë plagosur rëndë shtetasin Simon Gjokeja. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin numër 565, datë 08.11.2006, e ka dënuar me burgim të përjetshëm shtetasin Arben Gjokeja, për veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” në bashkëpunim dhe “Armëmbajtjes pa leje”.

3. Robert Preni

Ekstraduar më 09.05.2008

Dënuar më 25 vjet burg për vrasje

Interpol Tirana kreu ekstradimin nga Athina drejt Shqipërisë të Robert Prenit, lindur më 17 shkurt 1959 në Tiranë. Ai akuzohej për vrasje. Më 2 korrik 1999, viktima Shkëlqim Maloku, banor i Fushë-Krujës, ka qenë duke udhëtuar së bashku me shtetasin Liman Koni në drejtim të Durrësit kur në vendin e quajtur “Kthesa e Marikajt” automjetit i ka dalë përpara Robert Preni, i cili mbante në dorë një arme automatike, model 56. Preni ka qëlluar në drejtim të shtetasit Shkëlqim Maloku me breshëri automatike me 11 plumba duke i shkaktuar atij vdekjen. Me pas i pandehuri Preni u largua nga vendi i ngjarjes. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin numër 188, datë 29.03.2000, e ka dënuar Robert Prenin me 25 vjet heqje lirie, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

4. Lorenc Balliu

Ekstraduar më 15.04.2008

Ishte dënuar me 16 vjet heqje lirie për vrasje

Hetuesit Kriminalë të Policisë së Emigracionit dhe Doganave të SHBA-ve (ICE) dhe Departamenti Amerikan i Shtetit ekstraduan në Tiranë për t’u përballur me Drejtësinë shqiptarin e arratisur dhe njëkohësisht ish-oficerin e Policisë Shqiptare, Lorenc Balliu, 32 vjeç. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendim numër 82, datë 17.03.2003 e ka dënuar atë me 16 vjet heqje lirie për veprën penale të vrasjes. Me vendim numër 86, datë 15.07.2003 Gjykata e Apelit Korçë ka vendosur lënien në fuqi të vendimit numër 82/03 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë. Sipas vendimit të gjykatës, më datë 03.01.2003, në fshatin Goskovë të rrethit të Korçës, shtetasi Lorenc Balliu, me detyrë oficer i Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë Korçë, ka goditur me shkelm në fytyrë shtetasin Gazmend Tahirllari, duke i shkaktuar vdekjen. Ngjarja ka ndodhur në automjetin e policisë, ndërsa viktima po shoqërohej për në Komisariat.

5. Lena Gjoni

Ekstraduar më 11.04.2008

Kërkohej për vrasje

Ekstradohet nga Italia Lena Gjoni, lindur më 10.07.1957, në Shënkoll, Lezhë. Arrestimi i saj u krye më 10.04.2008, nga autoritetet policore italiane. Shtetasja në fjalë është shpallur në kërkim ndërkombëtar sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me vendimin nr. 64, datë 07.08.2007, ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg” për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”. Sipas vendimit të gjykatës, në datën 11.06.1997, në shtratin e lumit Mat në fshatin Shënkoll, Lezhë, është gjetur kufoma e shtetasit Marash Gjoni, i cili ishte qëlluar me armë zjarri. Pasi është bërë dokumentimi ligjor i ngjarjes nga Komisariati i Policisë Lezhë, rezulton që autori i vrasjes është shtetasja Lena Gjoni, e cila ka vrarë për motive të dobëta shtetasin Marash Gjoni.

6. Albenc Ago

Ekstraduar më 11.03.2008

Dënuar me 20 vjet heqje lirie për vrasje

Interpol Tirana ekstradoi nga Italia Albenc Agon, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i shumëkërkuar për vrasje. Ekstradimi i Agos u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin numër 1168, datë 01.12.2005 ka deklaruar fajtor për veprat penale të “vrasjes me dashje” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe e ka dënuar atë me 20 vjet heqje lirie. Sipas vendimit të gjykatës, më 23.05.1997, shtetasi Albenc Ago ka qëlluar me armë zjarri duke i shkaktuar vdekjen Eva Vishajt (Lila). Ngjarja e rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në kilometrin 29.

7. Theodhor Lulo

Ekstraduar më 08.02.2007

Ishte i shumëkërkuar për vrasje

Interpol Tirana kreu ekstradimin nga Athina, Greqi të shtetasit Theodhor (Gazi) Lulo, 49 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Pogradec. Ekstradimi i tij u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Librazhd, me vendimin nr. 87, datë 24.11.2006, ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit arrest me burg, për veprën penale të “vrasjes me paramendim”. Sipas vendimit të gjykatës, Lulo dyshohet se është autor i vrasjes së File Omerit, ngjarje e ndodhur në datën 21.11.2006 në rrugën rurale që të çon në fshatin Vehçan, Librazhd.

VRASJE TË MBETURA NË TENTATIVË

1. Dritan Xhelita

Ekstraduar më 11.04.2008

Është dënuar me 18 vjet burg

Interpoli ekstradoi nga Italia Dritan Xhelitën, lindur më 12.02.1975 në Vlorë. Arrestimi i tij u krye më 10.04.2008 nga autoritetet policore belge. Shtetasi në fjalë është shpallur në kërkim ndërkombëtar sepse Gjykata Apelit Tiranë, me vendimin nr. 307, datë 19.05.2003, e ka dënuar këtë shtetas me 18 (tetëmbëdhjetë) vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë”. Ky shtetas më 01.01.1998, gjatë një kontrolli të banesës së tij, në lagjen “Pavarësia” në Vlorë, ka qëlluar me armë zjarri, në bashkëpunim me të vëllanë e tij, Ilir Xhelita, punonjësin e policisë Alket Muça dhe kanë plagosur shefin e Policisë Kriminale, Pirro Ymeri.

KËRKOHEJ PËR VEPRËN E TRAFIKUT TË PROSTITUCIONIT

1. Viktor Nikolli

Ekstraduar më 18.03.2008

Dënuar me 8 vjet për shfrytëzim prostitucioni

Interpol Tirana ekstradoi nga Milanoja për veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese” Viktor Nikollin, lindur me 05.06.1958 në Pukë. Ai është deklaruar fajtor nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Laç, e cila me vendimin nr. 112, datë 06.07.2005, e ka dënuar atë me 8 vjet burgim për veprën penale te “Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr. 20, datë 18.01.2006, ka vendosur lënien ne fuqi të Vendimit Penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Laç. Shtetasi i lartpërmendur me anë te mashtrimit ka arritur të bindë shtetasen me inicialet SH. N., që të shkonte bashkë me të jashtë shtetit. Pasi kanë arritur në Portugali shtetasi Viktor Nikolli e ka detyruar shtetasen me inicialet SH. N. të prostituonte.

Dështimet

“Hakmarrja në azil”

Mbrojtja e të pandehurve kërkon nga Gjykata e Krimeve të Rënda njohjen e vendimeve të dhëna nga Drejtësia zvicerane dhe ajo belge, që rrëzuan pretendimet për ekstradim nga shteti shqiptar të Orik Shytit, Kreshnik Spahiut e dy vëllezërve, Pasho dhe Nikolin Novruzaj, dhe u dhanë të drejtën e azilit.

1. Izet Haxhia

Arrestuar më 03.06.2006

Dënuar me 25 vjet burg për vrasje

Izet Haxhia u arrestua në Turqi pas tetë viteve arrati. Ai kërkohej pasi ishte dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Haxhia u arrestua nga policia turke në zonën turistike të Kushadasit në qytetin e Antalias. I shumëkërkuari 40-vjeçar, deri në fund të vitit 2004 kishte qëndruar në qytetin e Stambollit për t’u transferuar më pas në zonën turistike të Antalias. Me arrestimin e Izet Haxhisë u mbyll përfundimisht cikli i dosjes “Hajdari”, e cila është cilësuar për vetë objektin e hetimit dhe gjykimit të saj edhe si “dosja e shekullit”.

2. Aldo Bare

Arrestohet në Turqi më 25 mars 2007

Alfred Shkurti, i njohur ndryshe si Aldo Bare, si dhe kreu i bandës së Lushnjës, u arrestua në Ankara të Turqise më datën 25 mars të vitit të kaluar. Ka qenë viti 1997 kur Bare, në atë kohë efektiv special, ka dhënë dorëheqjen dhe ka krijuar aktivitetin e tij si kreu i bandës së Lushnjës. Bare ishte ai që jepte urdhrat, ndërkohë që anëtarët e tjerë realizonin vrasjet. Prokuroria e Krimeve të Rënda e akuzon këtë të fundit për 5 vrasje të kryera me paramendim, dy të mbetura në tentativë, për shkatërrim pronash etj.

3. Enver Dondollaku

Arrestohet në Itali më 21 maj të viti 2007

Enver Dondollaku, i njohur ndryshe dhe si krahu i djathtë i Aldo Bares, u arrestua nga policia italiane më 21 maj të vitit të kaluar në Padova të Italisë, ku kishte shkuar të takonte të vëllain që banonte në këtë qytet. Dondollaku është dënuar nga Drejtësia italiane me 16 vjet heqje lirie për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”. Prokuroria e Krimeve të Rënda e akuzon këtë të fundit për katër vrasje të kryera në bashkëpunim me Baren, vrasje të mbetura në tentative, shkatërrim prone me zjarr, vjedhje me dhunë, pjesëmarrje në organizate kriminale etj.

4. Hamdi Haklaj

Arrestuar më 10 mars 2007

Hamdi Haklaj u arrestua në qytetin Gothenburg, Suedi. Pas prangosjes së tij autoritetet policore suedeze njoftuan homologët e tyre në Tiranë për prangosjen duke u komunikuar se ligjet ndërkombëtare për bashkëpunimin në fushën penale parashikojnë se afati maksimal i mbajtjes në arrest të të prangosurve për qëllime ekstradimi është 40 ditë. Gjatë kësaj kohe edhe familjarët e tij dërguan në Suedi dokumente, të cilat i dorëzoi në gjykatë avokati mbrojtës i zgjedhur nga i prangosuri. Menjëherë pas arrestimit, 69-vjeçari me origjinë nga fshati Babinë i Tropojës, u paraqiti autoriteteve suedeze të Drejtësisë kërkesën për azil politik. Në të njëjtën kohë me të, familjarët dhe mbrojtësi i tij në Tiranë përgatitën dokumentacionin e duhur për t’ia dërguar atij në Suedi, me anë të të cilit argumentuan kërkesën për azilin duke argumentuar se ndaj tij në Tiranë po zhvillohet proces politik.

5. Zylfie Haklaj

Arrestuar më 16.04.2008

Dënuar me 25 vjet burg për vrasje

Policia suedeze ka arrestuar më 16.04.2008 Zylfie HAKLAJ, 45 vjeçe, lindur në Tropojë. Shota ishte shpallur në kërkim ndërkombëtarë pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tropojë, ka regjistruar procedimin penal nr. 38, datë 02.04.2002, për veprat penale te “Vrasjes në rrethana cilësuese dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Zylfie Haklaj më 02.04.2002, rreth orës 10:40 minuta, në një lokal të qytetit të Tropojës, ka vrarë me armë zjarri, Rasim Lumneshin, Ilir Gosturani dhe ka plagosur shtetasit Izet Dushaj dhe Hysen Byberi. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin nr. 98, datë 16.07.2004, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, në ngarkim të shtetases Zylfi HAKLAJ. Ndërkohë po kjo gjykatë e ka dënuar këtë shtetase me 25 vjet burgim.

JANË NË PROCES EKSTRADIMI

1. Enton KABASHI

Arrestuar më 26.06.2008
Kërkohet për vrasje

2. Sokol Ramaj

Arrestuar më 22.06.2008
Kërkohet për disa vrasje

3. Dritan Rexhepaj

Arrestuar më 31.03.2008
Kërkuar për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”

7 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›