E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjiknuri: Ligji antimafie është antikushtetues

11/11/2009  Deputeti i PS-së Damian Gjiknuri dha qëndrimin e kësaj partie lidhur me propozimet e mazhorancës mbi projektligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar. “Projektligji nga disa amendime të veçanta po formësohet si një ligj i ri, duke zgjeruar objektin dhe kategoritë mbi të cilin zbatohet, por pa u justifikuar qartë se pse është i nevojshëm një zgjerim i tillë dhe sa problematik ka qenë zbatimi i ligjit në fuqi, nisur nga fakti që një ligj i tillë ka mbi 5 vjet që zbatohet”, - vuri në dukje Gjiknuri. Sipas tij, i vetmi justifikim i nevojës së këtij ligji nga ana e mazhorancës është gjoja konfuzioni që ka krijuar vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë, i cili në thelb ka vendosur një standard të lartë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, standardin që sekuestroja mund të zbatohet vetëm kur ka një dyshim të arsyeshëm. Ndalur në një çështje të tillë, deputeti socialist nënvizoi se “projekti i ri i mazhorancës ‘Berisha’ jo vetëm që nuk e respekton këtë standard demokratik, por synon të përfshijë si subjekte të këtij ligji çdo person apo qytetar, mjafton që ai të demonstrojë një nivel të caktuar jetese, i cili mund të mos përputhet me të ardhurat e tij”.

PD u kundërpërgjigjet socialistëve

Kampi blu reagoi menjëherë pas kritikave që socialistët i bënë projektligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar. Në gjykimin e Partisë Demokratike qëndrimi i socialistëve dëmton jo vetëm atë si parti, por edhe vendin. “Frika nga ligji antimafie i Partisë Socialiste është një shenjë ndjellakeqe e madhe për këtë parti, por dhe për vendin. Nuk ka vend në botë ku opozita të ngrihet e të mos kërkojë forcimin e ligjit antimafie, si një kusht kryesor për luftën kundër krimit të organizuar”, - vuri në dukje zëdhënësja e shtypit pranë PD-së, Erla Mëhilli. Ndërkohë po gjatë kësaj deklarate zëdhënësja për shtyp e selisë blu veç fakti që hodhi poshtë pretendimet e socialistëve mbi këtë projektligj dha dhe arsyet në mbrojtje të tij. “Protesta e sotme e opozitës për këtë ligj është paradoksi më i madh i qëndrimit të saj. Është kërkuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të liberalizimit të vizave. Ky është një ligj i hartuar nga ekspertët më të mirë shqiptarë dhe evropianë dhe është aktiv në shumicën e vendeve anëtare të BE-së. Ai dhe synon të godasë vetëm pasuritë dhe ekonominë kriminale dhe të garantojë plotësisht jetën dhe aktivitetin e bizneseve dhe qytetarëve.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›