E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Liberalizimi i vizave varet, nga puna hetimore e policisë”

11/11/2009  Lulzim Basha takim me drejtuesit e policisë në qarqe. I kujton reformën

TIRANE- “Barra kryesore për liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian, bie mbi punën e policisë së shtetit”. Kështu ka deklaruar ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili në një takim me Drejtorët e Policisë në qarqe, u ka tërhequr vëmendjet gjithë drejtorëve të sapoemëruar, në mënyrë që ata të risin efektivitetin e forcës zbuluese, parandaluese si dhe të godasin pa mëshirë krimin e organizuar. Basha theksoi se arritja e parametrave të vendeve të BE-së në luftë kundër të gjitha veprimtarive kriminale dhe realizimi i detyrave të përcaktuara për policinë e shtetit në progres-raportin për Shqipërinë, përbëjnë edhe detyrimet kryesore për përfitimin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. “Suksesi i policisë së shtetit në përmbushjen e detyrimeve është përcaktuesi kryesor në premtimin më të madh të kësaj mazhorance, heqjen e vizave brenda vitit që vjen”, -deklaroi Ministri Basha. Në të njëjtën kohë, Lulzim Basha, paralajmëroi vazhdimin e reformës, e cila siç tha ai ka për qëllim rritjen e efektivitetit të policisë së shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit financiar. Mësohet se drejtoritë që do të kenë më shumë mangësi gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, do të jenë të parat që do preken nga reforma. Ministri Basha e cilësoi të patolerueshëm faktin se akte të shumta kriminale mbeten të pazbuluara, ndaj kërkoi që të ushtrohet kontroll i njëtrajtshëm në këtë drejtim në të gjithë qarqet e vendit dhe në çdo cep të territorit. “Elementët kriminalë duhet të ndjejnë kudo presionin, forcën dhe goditjen e policisë së shtetit”,-theksoi ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Gjithashtu ky i fundit i kushtoi një vend të veçantë në fjalën e tij problemeve të qarkullimit rrugor, duke e konsideruar situatën e tanishme në këtë drejtim si të frikshme dhe kaotike, me shkelje të shumta që për më tepër edhe tolerohen nga punonjësit e policisë. Ndërsa i cilësoi të papranueshme tolerimet në këtë drejtim dhe kërkoi që subjektivizmi të shkojë drejt zeros, Basha bëri të ditur se po përgatitet një masterplan masash me komponentët e duhur teknologjikë për të evidentuar të gjitha shkeljet e mundshme, si dhe paralajmëroi ndryshime të nevojshme në legjislacion. Pritet që në ditët në vazhdim masat administrative, ndaj drejtuesve të automjeteve në rrugë të bëhen më të ashpra, kjo për shkak të numrit të lartë të aksidenteve.

Kërkesat e Lulzim Bashës

• Intensifikimi i betejës kundër krimit të organizuar,

• Përdorimi i teknikave speciale dhe provave shkencore të hetimit

• Identifikimi dhe goditja e kultivuesve të bimëve narkotike

• Lufta me tolerancë zero kundër prostitucionit

• Hetimi dhe zbulimi i ngjarjeve të vjetra dhe ato të mbetura pa autor

• Forcimi i luftës kundër vjedhjeve dhe veprimtarive të tjera kriminale

• Mbajtja nën kontroll e kontingjentit kriminal.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›