E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodra, përmbytje, shembje urash dhe rrugësh

11/11/2009  SHKODER- Situata e krijuar nga reshjet e shumta të shiut të rëna për disa ditë me radhë është bërë shkak i një mbledhjeje urgjente të shtabit të emergjencave të qarkut të Shkodrës. Gjatë këtij takimi u raportua kryesisht për sipërfaqe të mëdha toke në komuna të ndryshme, të cilat janë përmbytur nga reshjet e dendura dhe fryrjet e lumenjve, për izolime të lagjeve e fshatrave, për bllokime rrugësh, për problemet në furnizimin me energji elektrike. Ndër zonat më të prekura nga këto probleme janë fushat e Nënshkodrës dhe të Mbishkodrës si dhe komunat e thella malore të qarkut të Shkodrës. Gjatë raportimeve të bëra sot pranë prefektit të qarkut Shkodër, Cungu më problematike u paraqit situata e krijuar në komunën e Shalës. Përveç këtij problemi, reshjet e shiut kanë shkaktuar shembjen e një masivi shkëmbor në fshatin Lotaj, duke bllokuar dhe rrugën që lidh Shkodrën me Shalën. Ndërkohë në këtë komunë kanë filluar problemet e furnizimit me energji elektrike. Nga ana tjetër ura e Thethit që lidh Dukagjinin me Malësinë e Madhe dhe Shkodrën pritet të shembet nga momenti në moment, pasi vërshimet e ujit e kanë dëmtuar rëndë atë. Ndërsa në komunën Vig Mnelë, lumi Gjadër rrezikon të përmbytë gjithë zonën për shkak të mos përfundimit të plotë të ndërtimit të argjinaturës mbrojtëse. Ky investim mbeti pa u përfunduar vetëm për 50 milionë lekë të vjetra. Për sa i takon komunës së Bushatit deri tani janë përmbytur rreth 450 hektarë, ndërkohë që në komunën e Këlmendit kanë filluar bllokimet e rrugëve për shkak të rrëshqitjeve të përditshme të dherave nga shpatet e maleve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›