Ekstradimi i Karaxhiç, BE-ja shtyn vendimin për Serbinë
Edhe pse ishte parashikuar që me arrestimin e ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, Serbia të firmoste me Bashkimin Europian Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit, ky vendim është shtyrë dje nga ambasadorët e BE-së të cilët janë mbledhur në Bruksel. Ata u mblodhën për të vendosur nëse do të zhbllokonin ose jo përfitimet tregtare me Serbinë, megjithatë nuk nxituan të merrnin një vendim, pasi më parë krimineli i luftës duhet të transferohet në Hagë. Ambasadorët e Këshillit të Ministrave të BE-së, ranë dakord bashkë me komisionerin e zgjerimit Oli Rehn t’i dergojnë një mesazh Serbisë, duke premtuar direkt marrëveshjen e MSA-së, por Holanda dhe Belgjika kërkuan të presin vendimin e Hagës. Diplomatët dhe ambasadorët e 27 vendeve anëtare të bllokut europian ranë dakord të presin transferimin e Karaxhiçit në Gjykatën e Hagës dhe mendimin e prokurorit të lartë të Gjykatës së Kombeve të Bashkuara për krimet e Luftës në ish- Jugosllavi, Serge Brammetrz nëse Serbia po bashkëpunon plotësisht me Gjykatën, kusht ky për zhbllokimin e rrugës së Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Serbia nuk është përfaqësuar në këtë takim të rëndësishëm, megjithatë Beogradi është i bindur se esktradimi i Karaxhiç do kënaqë BE-në dhe do të hapë një kapitull të ri për integrimin e ketij vendi. Arrestimi i Karaxhiçit është shoqëruar me protesta në Serbi. Ultranacionalistët serbë kanë protestuar dje në sheshin “Republika” në mbrojtje të liderit serbo boshnjak, kundër transferimit të tij në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Ajo u mbështet nga partia e ish-kryeministrit serb Vojisllav Koshtunica. Alkesandër Vuciç, i partisë ultranacinaliste u shpreh se protesta ishte kundër presidentit serb Boris Tadiç i cili urdhëroi arrestimin e Karaxhic për t’u afruar me BE-në.
E ndërsa krimineli i luftës mbahet i burgosur, mediat serbe këtë rradhë kanë publikuar një video të re e ku Karaxhiç me imazhin e Dragan Dabiç shfaqet në një festë që zhvillohej në Novi Banovci afër Beogradit më 22 qershor të këtij viti. Festa ishte dita e Fertilitetit dhe zhvillohej në një klinike të doktorit Sava Bjoviç dhe Karaxhiç shoqërohej nga një grua. Ende nuk është dhënë vendimi për ekstradimin e tij në Hagë ku ai do përballet me akuza për genocide në lidhje me masakrën e Srebrenicës ndaj 8000 burrave dhe djemve myslimanë. Pritet që ekstradimi të bëhet fshehtas dhe Karaxhiç do t’i bashkohet kështu 37 të dyshuarve të tjerë për krime lufte në Hagë, dhe do të qëndrojë në burgun afër bregdetit Sheveningen. Qelia që do të qëndrojë Karaxhiç do të jetë një dhomë 15 metra katror, identike me qelinë e Millosheviçit i cili kaloi atje 5 vjet derisa vdiq.
30 Korrik 2008