Ekstradimi i Selimajt, Apeli refuzon SHBA-në
Vendimi: I kërkuari nga FBI, i njohur nga ata si Bian Burke po gjykohet për një krim në Shqipëri
Apeli vendosi dje të refuzojë kërkesën e Shteteve të Bashkuara për ekstradimin e Arjan Selimit
TIRANË- Gjykata e Apelit në Tiranë rrëzon kërkesën e SHBA-së për ekstradimin e Arjan Selimit, i arrestuar gjatë operacionit "Kompas". Sipas vendimit të treshes gjykuese, Arjan Selimi, i cili për autoritetet e FBI-së njihet me emrin Brian Foster Burke, nuk mund të ekstradohet në SHBA, edhe pse autoritetet e drejtësisë amerikane e akuzojnë se në zonën perëndimore të shtetit të Miçiganit, ka shpërndarë rreth një ton marihuanë gjatë viteve 1997 - 1998, kohë kur është arrestuar. Ky refuzim i drejtësisë shqiptare mori formën e prerë dje, pasi vetëm pak muaj më parë, Gjykata e Tiranës kishte vendosur të mos pranonte kërkesën për ekstradim të Shteve të Bashkuara të Amerikës. Autoritetet amerikane e akuzojnë Selimin për shpërndarje të lëndëve narkotike dhe thyerje të lirimit me kusht.
***
Sipas arsyetimit të vendimit të Gjykatës së Apelit, kërkesa e SHBA-së është refuzuar në bazë të nenit 491, gërma c; ç dhe e të Kodit të Procedurës Penale. "Sipas këtyre tre pikave të nenit 491, nuk mund të jepet ekstradimi kur: personi që kërkohet ka kryer një vepër penale në Shqipëri; ka filluar procedimi ose është gjykuar në Shqipëri, edhe pse vepra është kryer jashtë shtetit; për veprën penale është dhënë amnisti nga shteti shqiptar",-thuhet në vendimin e dhënë paraditen e djeshme nga Gjykata e Apelit. Ndërkohë, pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda i pandehuri Selimi po gjykohet për kryerjen e veprës penale të "trafikimit të lëndëve narkotike" në bashkëpunim, pas vitit 2000. Pas shqyrtimit gjyqësor nga themeli, çështja ka arritur përfundimin, ku në seancën e kaluar prokuroria kërkoi nga gjykata dënimin e tij me 16 vjet burg. Kërkesa e prokurorisë nuk ka marrë parasysh dëshminë e ekspertit të zërit, i cili ka arritur në konkluzionin se: "është niveli shumë i ulët i ngjashmërisë së zërit të të pandehurit me atë të përgjimeve". Ndërkohë, organi i akuzës edhe gjatë fazës së gjykimit, sipas mbrojtësit të të pandehurit, nuk ka sjellë prova të tjera përveç këtyre tre bisedave telefonike, që eksperti i ka cilësuar si jo të ngjashme me zërin e Arjan Selimit.
***
Tashmë që drejtësia shqiptare vendosi të mos ekstradojë Arjan Selimin, pritet që në seancën e radhës të lexohen pretendimet përfundimtare të mbrojtjes dhe më pas togat e zeza të shprehen me vendim. Sipas kërkesës së autoriteteve amerikane, të përpiluar nga ekspertët të FBI-së, thuhet se Foster Bruke, i cili në Shqipëri njihet me emrat Arjan Selimi dhe Armand Andoni është arrestuar fillimisht në muajin maj të vitit 1998 nën akuzën e "bashkëpunimit kriminal në shpërndarjen e marihuanës". Pak muaj më vonë, më 8-gusht të atij viti, autoritetet gjyqësore të Miçiganit e liruan nga qelia, në këmbim të një garancie pasurore prej 15-mijë dollarësh. Vendimi u mor nga gjykata që ndodhet në zonën Perëndimore të Miçiganit, ndërkohë që Selimi u vendos në vendin e quajtur "Grand Rapids", ku mbahej nën mbikëqyrje. Por sapo iu dha mundësia, ai u arratis në drejtim të Shqipërisë, ku dhe ndërroi emrin dhe mbiemrin. Pas largimit, autoritetet e drejtësisë amerikane ngritën edhe akuzën e "shkeljes së garancisë" së lirimit me kusht. Ndërkohë, kërkesa e bërë për ekstradimin e tij u bë në bazë të një marrëveshjeje ekstradimi messhtetit shqiptar dhe atij amerikan, të firmosur në kohën e mbretit Zog.
NENI 491
1. Nuk mund të jepet ekstradimi:
c) kur personi që kërkohet ka kryer një vepër penale në Shqipëri;
ç) kur ka filluar procedimi ose është gjykuar në Shqipëri edhe pse vepra është kryer jashtë shtetit;
e) kur për veprën penale është dhënë amnisti nga shteti shqiptar.