Tragjeditë 6 të vdekur në Tiranë dhe Korcë
Familja nga Gjakova është zhdukur nga flakët e shkaktuara nga një furnelë elektrike në prizë. Do të shkonin për Bajram në Kosovë
Sadete Gudaj dhe tre vajzat e saj janë asfiskuar nga flakët e zjarrit në banesën e tyre të varfërTIRANË- Familja Gudaj kishte vendosur ta festonte Bajramin në vendlindjen e vet, Gjakovë. Por një fat i tmerrshëm ishte destinuar për ta. Nëna, bashkë me tre vajzat 1, 3 dhe 10 vjeçe u nisën dje drejt Kosovës, por brenda katër arkivolëve. Katër pjesëtarët e familjes Gudaj janë gjetur mëngjesin e djeshëm të asfiksuar nga zjarri që përfshiu gjatë natës banesën e tyre. Ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm, në rrugën "Komuna e Parisit", në papafingon e një pallatishtatë- katësh në Tiranë. Një furnelë elektrike e lënë në prizë shkaktoi flakët e zjarrit që dogjën të gjallë Sadete Gudajn, 30-vjeçe dhe tre vajzat e saj të vogla, Djellza, Hajrie dhe Dafina. Forca të shumta të komisariatit të policisë nr.1 dhe makinat e zjarrëfikëses mbërritën në vendin e ngjarjes, në të gdhirë të ditës së djeshme, por mjaft vonë për të shpëtuar viktimat e kësaj tragjedie të tmerrshme.Punonjësit e zjarrëfikëses mundën të shuanin flakët e zjarrit, ndërsa forcat e policisë nxorën trupat e pa jetë të familjes Gudaj. Për këtë ngjarje u formua grupi i hetimor, i cili nisi menjëherë punën për të zbardhur rrethanat e rënies së zjarrit. Nga hetimet e para dyshohet se shkaku i ngjarjes ka qenë një rezistencë ngrohjeje, e cila ishte harruar ndezur.
TragjediaNjë rezistencë elektrike që i shërbente familjes Gudaj për të mbajtur ngrohtë tre fëmijët e mitur, është bërë shkak për të shuar këtë familje. Dy netë më parë, teksa Sadete Gudaj përgatitej për udhëtimin që do të kryenin familjarisht të nesërmen drejt Gjakovës, duket se ka harruar ndezur rezistencën e ngrohjes dhe pranë saj disa peshqirë për t'i tharë. Ajo, bashkë me tre fëmijët e saj kanë rënë për të fjetur, ndërsa kryefamiljari nuk ndodhej në banesë. Disa orë më pas dyshohet se peshqirët që ndodheshin pranë rezistëncës kanë marrë flakë. Fillimisht, flakët e zjarrit kanë përfshirë divanet për t'u përhapur më pas në të gjitha orienditë e tjera të banesës. Tymi i çliruar nga flakët e zjarrit dyshohet se ka asfiksuar nënën 30-vjeçare dhe tre vajzat e saj, duke iu shkaktuar atyre vdekjen. Nga hetimet e policisë rezulton se 30-veçarja nuk ka mundur të zgjohet për të shpëtuar veten dhe fëmijët e saj nga flakët e zjarrit, pasi tymi ka bërë që fillimisht ato të kalojnë në gjendje shoku.
PoliciaForca të shumta të policisë janë lajmëruar se në papafingon e një pallati 7-katësh ka rënë zjarr. Menjëherë efektivat blu dhe paralelisht me to edhe zjarrëfikëset janë vënë në lëvizje për të bërë të mundur shuarjen e flakëve të zjarrit. Menjëherë pas shuarjes së flakëve, forcat e policisë kanë hyrë në ambientet e brendshme të banesës, për t'iu ardhur në ndihmë pjesëtarëve, por ndërhyrja ka qenë e kotë sepse katër vetë të cilët ndodheshin në banesë kishin gjetur vdekjen. Trupat e pa jetë të katër viktimave të të njëjtit gjak u transportuan në morgun e spitalit për ekzaminime të mëtejshme. Ndërkohë që ekspertë të policisë nisën hetimet për të zbardhur shkakun e rënies së zjarrit. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, policia ka konstatuar një rezistencë e cila ndodhej në prizë. Kështu nga konstatimet e para, policia ka bërë të ditur se shkaku i rënies së zjarrit dyshohet të jetë pikërisht rezistenca e harruar ndezur. Peshqirët që ishin vendosur pranë rezistencës me qëllim pë t'u tharë kanë marrë flakë. Megjithatë, burime zyrtare nga policia e shtetit thanë se po vazhdojnë hetimet për të zbardhur me saktësi shkakun e rënies së flakëve të zjarrit që shuan katër jetë në rrugën "Komuna e Parisit".
INTERVISTA
Minushe Ymeraj pohon se dritat ikën rreth orës 10, kohë kur nëna e vajzave mund të ketë harruar furnelën në prizë
Fqinja: Energjia elektrike vrau nënën dhe vajzat e saj TIRANË- Kishte dëgjuar zhurmë në katin e sipërm. Madje, në orët e para të mëngjesit i kishte rënë edhe derës së fqinjes, por kurrësesi nuk i kishte shkuar ndër mend se katër kate më lart po zhdukej në hi një familje e tërë. Minushe Ymeraj, rreth 70-vjeçe, banore e pallatit ku ndodhi tragjedia, tregon për gazetën "Shekulli' se shkaku i vdekjes së nënës dhe tre fëmijëve të saj është energjia elektrike. "Energjia elektrike i vrau. Dritat ikin dhe vijnë, orar pa orar. Mbrëmë ka plasur rezistenca e ngrohjes që ka shkaktuar edhe zjarrin", -u shpreh e moshuara. Sipas saj, dy netë më parë, vetëm pak orë para tragjedisë kishin ikur dritat, kohë që mendohet se 30-vjeçarja Sadete Gudaj ka rënë për të fjetur, duke harruar të heqë dhe rezistencën nga kontakti me korentin. Kështu, pas dy orësh ka ardhur energjia elektrike, çka dyshohet seka ndikuar në plasjen e rezistencës e cila ishte ndezur.
Zonja Minushe, kur ndodhi tragjedia në pallatin tuaj? A keni dëgjuar ju ndonjë zhurmë të dyshimtë gjatë natës? Rreth orës 02:00 të mëngjesit, dëgjova zhurma, por mendova se ndonjë lëvizje e fqinjëve të rinj. Te pallati ynë ende nuk kanë ardhur shumë familje, kështu që mendova se ndonjëra prej tyre po sillte plaçkat. Pak minuta më vonë dëgjova të binte dera e shtëpisë sime. Dola menjëherë dhe pashë disa persona të zbrisnin me shpejtësi shkallët. I pyeta se çfarë kishte ndodhur dhe pse i ranë derës sime, por dëgjova të më thoshin se kishin ngatërruar derë. Më vonë mësova se kishte rënë zjarr në papafingo dhe kishin vdekur të gjithë pjesëtarët e familjes nga Gjakova, veç babait të fëmijëve. Ai nuk ndodhej në shtëpi.
Keni mësuar për shkakun e rënies së zjarrit?Thanë që kishin harruar një rezistencë ngrohjeje ndezur. Por unë them se energjia elektrike i vrau. Dritat ikën mbrëmë dhe erdhën pas dy orësh. Nëna bashkë me fëmijët do të kenë rënë për të fjetur, kur nuk kishte drita dhe kanë harruar rezistencën ndezur. Kur kanë ardhur dritat, rezistenca ka bërë masë dhe do të ketë plasur, se nuk ka mundësi tjetër.
Prej sa kohësh banonte familja nga Gjokava në pallatin tuaj?Nuk kishin shumë kohë që jetonin këtu. Nuk e kanë mbushur vitin.
Ku punonte bashkëshorti i Sadetes?Në fakt, ne nuk kishim hyrje-dalje sepse ato ishin një familje e ftohtë. Në përgjithësi, të gjithë këtu nuk shkojnë tek njëri-tjetri. Por kam dëgjuar se bashkëshorti i saj punonte roje, ndërsa ajo vetë nuk punonte por mbante fëmijët. Kam qenë vetëm një herë në shtëpinë e tyre dhe dukeshin shumë të varfër. Kishin vetëm pak mobilje në shtëpi. Ndërsa di që sot (dje) si familje ata do të niseshin për në Kosovë për festën e Barjamit.
Ceremonia mortore, në Gjakovë TIRANË- Si kurrë më parë, në morgun e spitalit "Nënë Tereza" në Tiranë, mjekët po kryenin njëherazi ekspertizën e katër viktimave, pjesëtare të së njëjtës familje. Nëna dhe tre fëmijët e saj u transportuan në morgun e spitalit në orët e para të ditës së djeshme, ndërsa në mesditë janë nisur drejt Kosovës. Të njohurit e familjes, si dhe kryefamiljari Ali Gudaj ndodheshin në hyrje të morgut, në pritje të përgatitjes së trupave. Katër arkivolë u nisën dje drejt Gjakovës, ku do të kryhet dhe ceremonia mortore.Të afërmit në Kosovë kanë mësuar dje për tragjedinë dhe kanë kërkuar që trupi i nënës dhe tre fëmijët e saj të prehen në Gjakovë. Ndërkohë që nga mjekësia-ligjore mësohet se vdekja e Sadete Gudaj dhe tre fëmijëve të saj, Djellza, Hajrie dhe Dafina ka ardhur si pasojë e asfiksisë nga tymi i flakëve të zjarrit. Ato kanë qenë në gjumë në momentin kur kanë rënë në gjendje kome, për të mos u përmendur më kurrë. K.Kotorri
TRAGJEDIA
Kryefamiljari Ali Gudaj lajmëroi policinë TIRANË- Pasi ka mbyllur turnin e punës, Ali Gudaj nuk shkoi drejt e në banesë. Ai ka ndaluar në një lokal për të pirë kafe me një shok, e aty rreth dy orë pas mesnatës, Gudaj ështënisur drejt shtëpisë së tij në rrugën "Komuna e Parisit". Pa e çuar kurrë nëpërmend se ajo do të ishte nata më e tmerrshme e jetës së vet. Sapo ka mbërritur në derën e shtëpisë, ka nuhatur tymin të dilte. Menjëherë, ai ka shpërthyer derën, por ishte shumë vonë për të shpëtuar gruan e tij dhe tre vajzat. Tre vajzat e vogla të tij ndodheshin në të njëjtin krevat. Asnjëra prej tyre nuk merrte frymë. Ato kishin vdekur pranë njëra-tjetrës, ashtu siç nëna e tyre i kishte vendosur pak orë më parë për të fjetur gjumë. Në krevatin pranë ndodhej bashkëshortja e tij, edhe ajo kishte pësuar të njëjtin fat si vajzat e saj. Duke ulëritur dhe thërritur emrat e tyre, Ali Gudaj ka tundur e shkundur vajzat dhe gruan, por asnjë përgjigje. Burime nga grupi hetimor në komisariatin numër 1 kanë pohuar se janë lajmëruar nga kryefamiljari, që dje mbeti pa familje. Ai u mor në pyetje nga policia, megjithëse kjo e fundit shprehet se Ali Gudaj ndodhej në gjendje shoku. Ai me vështirësi fliste, ndërsa vetëm qante me ngashërima për këtë tragjedi.Për disa orë, ai ka pritur në portën e morgut të spitalit për të marrë në dorëzim familjen e tij të vdekur. Ata u nisën drejt Kosovës, jo më për festën e Bajramit, por për një mort të rëndë.
---------------------------------------------------------------------------------------------Ndërtimet pa leje penguan zjarrfikëset për shuarjen e flakëve. Shpëthimi i kondicionerit, shkaku i zjarrit
Panik në ish-Bllok, zjarri përfshiu pallatin 10-katësh
TIRANË-Shpërthimi i një kondicioneri ka shkaktuar flakë dhe gjendje alarmi në një pallat shumë katësh në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Zjarri i shkaktuar nga kondicioneri i një banese në katin e tretë të pallatit "Abissnet" ka djegur më pas tarracën me dru të një shtese të lokalit "Buda Bar", për t'u përhapur me shpejtësi nënjë pjesë të mirë të godinës. Megjithëse forcat e policisë dhe makinat e zjarrfikëses janë lajmëruar, sapo janë diktuar flakët e para,ka qenë e vështirë ndërhyrja e tyre për të neutralizuar zjarrin. Në anën e pasme të pallatit ku ra zjarri, ndërtimet pa leje pranë njëra- tjetrës kanë penguar makinat e zjarrfikëses. E ndërsa apartamentet dhe banorët rrezikoheshin, minuta të tëra janë harxhuar për të gjetur zgjidhjen e terrenit ku do të kalonin makinat e zjarrfikëses. Pas shumë përpjekjesh, punonjësit e zjarrfikëses kanë mundur të ndërhyjnë duke bërë të mundur dhe shuarjen e plotë të zjarrit, mesditën e djeshme.
Në zonën e ish-Bllokut, pranë pallatit në flakë janë parë edheforcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe policia e komisariatit nr.2, të cilët janë angazhuar për evakuimin e banorëve të pallatit, të cilët rrezikoheshin nga asfiksia e tymit. Në vendin e ngjarjes mbërritën dhe zyrtarë të lartë të drejtorisë së policisë së Tiranës, të cilët ndoqën nga afër operacionin për shuarjen e flakëve. Fill pas shuarjes së zjarrit, policia ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet. Sipas një dëshmitari në vendngjarje, njëherazi punonjës policie, fillimisht flakët janë shkaktuar nga shpërthimi i një kondicioneri në banesën e katit të tretë. Flakët kanë djegur tubin, i cili i ka përcjellë ato tek tarraca me dru e lokalit Buda-Bar. Më pas, tarraca ka përhapur zjarrin tek të gjitha katet, duke djegur fillimisht tendat e duke rrezikuar edhe banorët. Për sqarimin e shkaqeve të zjarrit policia shoqëroi shumë dëshmitarë nga vendi i ngjarjes, për të dalë më pas me një version përfundimtar.
Deri në orët e vona të pasdites së djeshme, të shoqëruarit kanë dhënë deklarimet e tyre para oficerëve të policisë dhe prokurorit për ato çka dinin në lidhje me zjarrin që përfshiu pallatin në zonën e ish-Bllokut. Paraprakisht policia ka deklaruar si shkakun kryesor shpërthimin e një kondicioneri, duke mos ia faturuar ngjarjen asnjë personi konkret. "Nuk kanë përfunduar ende hetimet për të zbardhur shkakun e rënies së zjarrit, por ne dyshojmë se shkaqet janë aksidentale", -u shprehën burime pranë grupit hetimor, të cilët po vazhdojnë punën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Mesditën e djeshme, flakët u vunë nën kontroll, ndërkohë që fatmirësisht nuk u dëmtua asnjë prej banorëve.