Ku ndodhet qyteti antik i Adrianopolit?
Ku ndodhet qyteti antik i Adrianopolit?
Në fakt shkruhet Hadrianopoli (me H) dhe bëhet fjalë për një qytet të periudhës antike e mesjetare. Ai ndodhet afër fshatit Nepravishtë në Gjirokastër. Emri i tij lidhet me perandorin romak, Adrianin. Shtrihej në një pllajë të thikët trekëndëshe prej 8 ha. Muret rrethuese janë përcaktuar si të shekullit IV-III para Krishtit dhe përbëhen nga blloqe guri të latuar. Ato përforcohen me kulla e dhëmbëzime. Në shekullin I-II qyteti u shpërngul poshtë në fushë, midis fshatrave Sofratikë e Grapsh, dhe u kthye në kryeqendër të luginës. Këtu janë zbuluar një nekropol i pasur, teatri, gjurmë banesash dhe një tempull. Në antikitetin e vonë ishte qendër peshkopale. Në shekullin e V-VI sipas prokopit të Cezaresë, u riemërtua Justinianopol për nder të perandorit bizantin, Justinianit. Për herë të fundit, qyteti përmendet në shekullin XII nga gjeografi arab Al-Idrizi në trajtën Drinopol, trajtë e ruajtur te emri i krahinës së sotme Dropull.
A ekziston në shqip mbiemri Jonimaj?
Mbiemri Jonimaj ka ekzistuar prej kohësh. Jonimajt ishin një familje feudale, zotërimet e së cilës shtriheshin në trevën bregdetare midis lumenjve Mat dhe Ishëm. Ndërsa një degë e saj i kishte zotërimet më në veri, në krahinën e Shkodrës. Nën zotërimin e tyre ishte tregu i rëndësishëm i kripës, Shufadaja, pranë Ishmit. Jonimajt përmenden qysh në fillim të shekullit XIII si nënshkrues të aktit për "Marrëveshjen e Dhimitrit" të Arbrit me Raguzën. Një Jonimaj tjetër përmendet në marrëveshjen e nënshkruar midis disa feudalëve shqiptarë dhe Karl Anzhusë, në vitin 1274. Në histori mund të gjendet si figurë e rëndësishme edhe emri Dhimitër Jonimaj, që lidhet me trevën e Shkodrës. Sipas situatës së jashtme, ai ishte herë vasal i venedikasve dhe herë i osmanëve. Emri i Jonimajve ruhet sot në toponiminë e Veriut dhe atë të Jugut.
Çfarë ka ndodhur në Masakrën e Manastirit?
Me termin "Masakra e Manastirit" njihet në histori një nga vrasjet masive më gjakatare. Kjo masakër është organizuar nga Porta e Lartë, për të nënshtruar lëvizjen shqiptare për vetëqeverisje pas vdekjes së Ali Pashë Tepelenës. Një grup feudalësh të Shqipërisë së Jugut u hodhën në kryengritje për të arritur vetëqeverisje dhe duke shfrytëzuar dobësinë e krijuar tek turqit gjatë luftës ruso-turke (1828-'29) ata arritën t'ua hiqnin nga duart pushtetin funksionarëve osmanë. Në këto kushte, Porta e Lartë ngarkoi kryeministrin Mehmet Reshid Pasha që t'i hiqte kryengritjes udhëheqësit e saj më aktivë, Iliaz Podën, Asllan Puçen dhe Veli Jaçen. Ata u ftuan të vinin në Manastir gjoja për të biseduar për çështje ushtarake dhe për pagesat e prapambetura të ushtarëve shqiptarë. Asllan Beu dhe Veli Beu, me një varg bejlerësh të tjerë dhe me truprojat e tyre, gjithsej 1500 veta e pranuan ftesën. Vetëm Iljaz Poda dyshoi dhe nuk shkoi. Pas pritjes së të ftuarve plot nderime, u zhvillua një stërvitje e reparteve të rregullta të ushtrisë, gjatë së cilës njëri prej tyre, me urdhër, hapi zjarr. Kështu u vranë dhe u varën rreth 1000 vetë, ndërsa 400-500 të tjerë u arrestuan të çarmatosur dhe u dënuan më burgim të përjetshëm.
Gruaja që ka jetuar më shumë, ka qenë 115 vjet
Julie Winnifred Bertrand, gruaja më e vjetër në botë, ka vdekur në gjumë në moshën 115-vjeçare, në një institut për të moshuarit në Montreal.
Kishte lindur më 16 shtator të vitit 1891, në një fshat të Quebec dhe ka mbyllur jetën e saj në një azil pleqsh, në të cilin kishte 35-vjet që jetonte. Julie Bertrand u njoh si gruaja më e vjetër vetëm pas vdekjes së Elizabeth Boden, e cila kishte lindur një vit para saj.
Hashashi dëmton edhe kockat
Hashashi nuk vepron vetëm në tru, por edhe në kocka, duke i dobësuar ato. Këtë e pohon një studim i publikuar tek "Natural Medicine". Zbulimi i ndodhur në Britaninë e Madhe ka treguar se në sipërfaqen e qelizave të kockave gjenden disa receptorë që janë në gjendje të lidhen edhe me hashashin, përthithja e të cilit shkakton efekte shumë negative. Hashashi krijon një dobësim të strukturës së kockës, duke i hapur rrugën sëmundjeve të ndryshme të kockave.
Antibiotiku i të ardhmes, nga një merimangë
Një gjeneratë e re antibiotikësh, të aftë të veprojnë kundër baktereve dhe kërpudhave patogjene. Një ilaç me një efekt shumë të shpejtë. E gjitha kjo është e mundur, falë Phyllomedusa Distincta, një merimangë e vogël me origjinë nga Amazona.
Nga lëkura e amfibit është e mundur të nxirret një lloj i ri peptidesh antimikrobike, të aftë t'i rezistojnë për një kohë më të gjatë procesit të degradimit të shkaktuar nga mikroorganizma patogjene dhe të ofrojnë imunitet brenda pak orëve nga infektimi.
Truri: Mosha 25-vjeçare, mosha e arsyes
Një kërkim shkencor ka treguar se si zona e trurit e specializuar në "maturim" mbushet vetëm në moshën 25-vjeçare.
Studimi është bërë nga shkencëtarët e Institutit Nacional të Shëndetit në Washington dhe ka treguar që pjesa e trurit që ka të bëjë me sjelljen e matur, nuk mbushet në moshën 18-vjeçare, siç ishte besuar deri tani, por mbushet në moshën 25-vjeçare. Kërkimi jep një shpjegim për shumë veprime të pamatura të të rinjve.