E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti në ambasadë, dëshmia e Vili Minarollit

Ambasadori në Greqi: Faik Dishnica më gjuajti me grusht në zyrë. Kam dëshmitarë
TIRANË- Ambasadori shqiptar në Greqi, Vili Minarolli, dëshmoi dje para Gjykatës së Tiranës për konfliktin mes tij dhe ish-konsullit Faik Dishnica. I thirrur me kërkesë të akuzës dhe vetë të pandehurit në këtë proces, ish-konsullit të Janinës, ambasadori Minarolli, për një orë rresht dha versionin e tij për ngjarjen, duke akuzuar drejtpërdrejt ish-vartësin Dishnica për goditje me grusht. Gjithashtu, gjatë seancës së djeshme dëshmuan edhe disa nga pjesëtarët e personelit të Ambasadës, ku mes të tjerëve ishte edhe sekretari i dytë, Kleves Bitro, i cili mbështeti versionin e ambasadorit Minarolli. Në këtë proces gjyqësor, Minarolli është viktima e Faik Dishnicës, duke akuzuar këtë të fundit për veprën penale të "goditjes për shkak të detyrës". Procesi gjyqësor ndaj Dishnicës ka filluar vetëm dy muaj më parë, edhe pse Dishnica ka dhënë një version të kundërt nga ambasadori Minarolli, duke e akuzuar këtë të fundit për rrahje. Gjatë dëshmisë së djeshme, Minarolli iu përgjigj jo vetëm pyetjeve të gjyqtarit Kreshnik Omari, por edhe të vetë të pandehurit Faik Dishnica."Faik Dishnicën e kam pezulluar nga puna si konsull më datë 26 janar 2007. Që nga ajo ditë, i kam shkëputur marrëdhëniet e punës me të. Ndërsa për këtë ngjarje kam njoftuar Ministrinë e Jashtme, oficerin e Ministrisë së Brendshme që punon në ambasadë, i cili dërgoi edhe dosjen me kallëzim në prokurori. Më pas, për 5 muaj nuk pata asnjë kontakt me Dishnicën, deri në korrik kur me dhunë hyri pa leje në zyrën time, ku po bisedoja me sekretarin e parë, Kleves Bitro. Më dorëzoi një letër ku kërkonte lejen e zakonshme dhe unë e vura në dijeni që është pushuar nga puna dhe nuk jam kompetenti për t'i dhënë leje. Tani atë të drejtë e kishte Ministria e Jashtme. I kërkova të largohej, pasi kisha punë, por nuk u largua. U ngrita dola te dera e zyrës dhe e hapa derën duke i kërkuar të largohet, ai u ngrit më goditi me grusht në mjekër, në atë çast ka ndërhyrë sekretari i dytë, Kleves Bitro, i cili e ka nxjerrë nga zyra. Ndërkohë, edhe pse largohej nga Bitro ai më shante dhe bërtiste, ulërima që alarmuan stafin e Ambasadës, të cilët u turrënnë zyrën time. Në buzë më rridhte gjak, po nuk shkova të mjekohesha pasi më vinte turp që unë Ambasadori, të shkoja të mjekohesha. Ndërsa, sa i përket pretendimit të Dishnicës se unë e paskam qëlluar, këtë e mohoj pasi nuk kisha ndonjë shkak që unë ta godisja, pasi isha unë që e mora në punë, madje kam këmbëngulur pasi disa drejtorë në Ministrinë e Jashtme ma rekomanduan",-tha ai ndër të tjera para gjykatës, e cila ndërpreu seancën gjyqësore për thirrjen e dëshmitarëve të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›