E Shtunë, 31 Tetor 2026

Televizioni A1, një javë në "terrin" e urdhëruar nga KESH

Megjithëse pa asnjë detyrim financiar ligjor, energjia nuk rilidhet
Sot bëhet një javë që Televizioni A1 është pa energji elektrike, pas një vendimi arbitrar të drejtuesve tëKESH-it. Ndonëse nuk ka asnjë detyrim financiar ligjor për të shlyer, punonjësit e KESH-it janë urdhëruar për të mos rilidhur energjinë elektrike në stacionin televiziv, e cili ka bërë ndërprerjen e transmetimeve normale, duke punuar vetëm disa orë me ndihmën e gjeneratorëve, kostoja e të cilëve është e papërballueshme.
Drejtuesit e televizionit vazhdojnë të informojnë faktorin ndërkombëtar të pranishëm në Tiranë, si dhe t'i përgjigjen interesimit të tyre për këtë ngjarje pa precedent në historinë e medias vizive në shoqëritë demokratike. Megjithëse është e dukshme mosgatishmëria e qeverisë për të ndërhyrë për zhbllokimin e situatës, që ka prapaskenë politike, drejtuesit e TV A1, deklaruan se kanë informuar edhe KKRT-në, apo shoqata ndërkombëtare të medias nëpër botë për të dënuar këtë veprim të qëllimshëm, që synon mbylljen e një ekrani të pavarur televiziv në vend.
Punonjës të KESH-it kanë konfirmuar se nuk ishte mospagesa e disa faturave të kamatëvonesave, që u shlyen mesditën e 14 dhjetorit, shkaku i lënies në terr të televizionit, por se ata ishin urdhëruar të paralizonin qëllimisht median vizive të "Spektër sh.a.". Megjithëse TV A1 u tregua i gatshëm për të shlyer detyrimet, KESH-i nuk iu përgjigj këtij veprimi me rilidhjen e energjisë. Televizioni A1 nuk ka pranuar të paguajë vetëm shumat e vëna në mënyrë të qëllimshme në kurriz të tij, nga nëpunësit e KESH-it, që patjetër janë urdhëruar për këto veprime kriminale, në dëm të një biznesi dhe një organi të medias vizive. Televizioni A1 e ka dërguar në gjyq Filialin Elektrik të Tiranës, për të shpallur të pavlefshme faturimin aforfe të muajit maj, sepse pas leximit të muajit maj 2007, të kryer nga punonjësit e KESH-it më 31 maj, matësi tregoi vlerën 51.520 lekë pa TVSH, ndërsa poshtë leximit të muajit ishte vënë edhe faturimi aforfe në vlerën 3.153.920 lekë. Ky faturim ishte jashtë kushteve ligjore dhe i kundërligjshëm. Ligji Nr.9072, datë 22.05.2003 "Për sektorin e energjisë elektrike", neni 52, përcakton rastet e kryerjes së faturimit aforfe vetëm atëherë "kur klientët nuk janë të pajisur me aparat matës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›