E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtrimi me vizat, pranga ish-deputetit Arben Lika

Themeluesi i PD-së u dënua me 6 vjet burg për mashtrimin e mbi 150 qytetarëve me vizat amerikane
TIRANË- Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Arben Lika, arrestohet 3 vjet pas supermashtrimit me vizat amerikane. Megjithëse Gjykata e Apelit e pati dënuar më 26 tetor me gjashtë vjet heqje lirie, Lika ka lëvizur lirshëm nëpër Tiranë deri paraditen e djeshme, kur policia e ka ndarë mendjen të ekzekutojë vendimin e formës së prerë. " Gjykata e Shkallës së Parë, me vendim të datës 19 dhjetor 2006 e ka dënuar me 10 - vjet heqje lirie, për konsumim të veprës penale të "mashtrimit të kryer më shumë se një herë".Ndërkohë, Gjykata e Apelit Tiranë, me vendim të datës 26 tetor 2007 e ka dënuar me 6- vjet heqje lirie"-bëri me dije zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini. Procedimi penal në emër të Likësështë regjistruar në janar të vitit 2005, kohë kur dhjetëra qytetarë zunë radhën dyerve të policisë dhe prokurorisë, për të denoncuar vjedhjen me anë të mashtrimit. Më pas, hetimi i prokurorisë së Tiranës kaloi nëpër filtrat e dy shkallëve të gjyqësorit, ku u vendos që Arben Lika të dënohej me 6 vjet heqje lirie.
Prej korrikut të vitit 2005, Arben Lika kishte filluar një "aktivitet" fitimprurës, duke përdorur qytetarët hallexhinj, të lodhur nga radhët e gjata për vizë në dyert e ambasadave. Duke ngritur një rrjet të vërtetë, ai mendohet se iu ka premtuar rreth 150 personave viza për çdo vend të botës, në këmbim të parave. Sipas dëshmive që të mashtruarit kanë dhënë në janar 2005 për gazetën "Shekulli", Arben Lika prezantohej si deputet, si mik i ngushtë i ish-ambasadores amerikane apo i qeveritarëve shqiptarë. Ndaj edhe fitonte besim në sytë e "hallexhinjve". Sipas dosjes së prokurorisë, secili prej tyre ka dhënë nga 3 mijë- 10 mijë euro në këmbim të një vize, ndërkohë që dyshohet se shuma e parave që ka përfituar Lika kap shifrën e 1 milion eurove. Derdhja e parave bëhej në agjencinë "Omega Travel Worldëide" të Likës, ndërsa qytetarët merrnin si këmbimvetëm një copë letër, pa firmë e vulë në këmbim të ëndrrës së tyre amerikane.
Hetimet
Skema e mashtrimit me vizat u shemb pas plagosjes së Arben Likës, pas një pengmarrjeje e shumë denoncimeve. Ish-deputeti i PD-së u plagos teksa po firmoste deklarata noteriale për rreth 90 mijë euro borxh, çka edhe zbuloi mashtrimin për policinë. E ndërsa Lika ndodhej në spital apo në shtëpi, i ruajtur nga policia prej ndonjë hakmarrjeje të mundshme, numri i denoncuesve sa vinte e rritej. Asokohe, ndodhi edhe një tjetër ngjarje e rëndë, që kishte si shkak mashtrimet me vizat. Një i ri nga Fushë-Kruja mori peng të akuzuarin si sekser i Arben Likës, për shkak se ky i fundit i kishte marrë 3 mijë euro për një vizë angleze. Pasi ka "kopsitur" dosjen, prokuroria e Tiranës e ka dorëzuar në gjykatë. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, Gjykata e kryeqytetit e dënoi Likën me 10 vjet burg, por ankimimi në Apel i ka shërbyer thelemeluesit të Partisë Demokratike për të ulur 4 vjet vjet nga dënimi. Pas arrestimit, ai i është dorëzuar dje Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për t'u transportuar në qelinë e tij, ku do të qëndrojë për 6 vitet e ardhshme.
150
Kaq mendohet të jetë numri i personave të mashtruar prej Arben Likës, të cilët dhanë para për viza ose për të dërguar fëmijët me shkollë jashtë shtetit
3-10
Shuma e parave të paguara prej të mashtruarve varion nga 3 mijë -10 mijë euro. Në këmbim të parave të derdhura, ata kanë marrë një copë letër pa vulë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›