Zyrtarët e Kasharit, Apeli iu rrëzon garancitë pasurore
Mbeten në burg deri në fund të hetimeve Alfred Sulaj, Naim Karaj e Faik Fejza
TIRANË- Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi të rrëzojë kërkesën e tetë të pandehurve të arrestuar në operacionin e koduar "Kashari 2", duke lënë në fuqi masat sigurisë "arrest me burg", deri në përfundim të hetimeve. Pas shqyrtimit të ankimimit të mbrojtësve, Gjykata vlerësoi masat e sigurisë "arrest me burg" për shtetasit: Alfred Sulaj, kryetari i komunës Kashar, Naim Karaj dhe Faik Fejza ish-kryetarët e kësaj komune për periudhën 2000-'03 dhe 2003-'07, të pandehurin Islam Shera, ish-kryeplak i kësaj komune, Shefqet Alikaj, ish-përgjegjës në zyrën e Kadastrës si dhe Ismail Sulaj e Xhevair Hyka, banues në Kashar, duke mos u ndryshuar masat e dhëna në Gjykatën e Shkallës së Parë, ditët e para të këtij muaji. Gjithashtu, po e njëjta masë sigurie u vlerësua edhe për të pandehurin Ilir Sula, ish-shofer i Alfred Sulajt, të cilit gjatë arrestimit iu gjetën dhe sekuestrua një armë pistoletë "TT", pa leje. Edhe pse mbrojtësit e të pandehurve kërkuan masa më të buta të sigurisë, duke ofruar edhe garanci pasurore pa caktuar një çmim, Gjykata e Apelit nuki ndryshoi masat e sigurisë. Sipas akuzës, tetë të pandehurit e këtij procesi u arrestuan në fillim të këtij muaji në kryeqytet me urdhër të prokurorit Armand Gurakuqi, i cili po hetonte çështjen prej 7 muajsh. Sipas këtyre burimeve, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokës, kanë pajisur me vërtetim pronësie persona të ndryshëm, jo banorë të komunëssë Kasharit, kundrejt përfitimeve të paligjshme duke ua shitur personave të ndryshëm këtë pronë. Madje, sipas akuzës, personat që kanë përfituar padrejtësisht prona, rezultojnë të jenë të afërm, familjarë ose miq të të arrestuarve të operacionit "Kashari 2", ku mendohet se kanë abuzuar me më shumë se 20 hektarë tokë.