Ekstradohen nga Londra dy të kërkuar për vrasje
TIRANE – Dy persona, emrat e të cilëve janë lakuar në dhjetëra raste nga Drejtësia Britanike si “killerat shqiptarë” që strehohen në Londër, u ekstraduan dje nga Interpoli. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë se të ekstraduarit janë Marash Gjoka, 50 vjeç, nga Shkodra, i dënuar me 20 vjet burg për vrasje, dhe Lulzim Hoxhaj, 46 vjeç, nga Fieri, i dënuar me 23 vjet burg për vrasje dhe vrasje të mbetur në tentativë. Gjoka, i cili jetonte bashkë me familjen e tij në Londër, duke mbajtur emrin Mark Toma dhe prezantohej si shtetas kosovar, u zbulua nga policia lokale pas kërkesës që bashkëshortja e tij bëri për azil politik. Gjykata e Lezhës e ka dënuar Marash Gjokën (Matushën) me 20 vjet burg më 11 dhjetor të vitit 2001, me akuzën e “vrasjes” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Në bazë të vendimit të gjykatës, 50-vjeçari nga Velipoja e Shkodrës akuzohet se më 21 maj të vitit 1999, në afërsi të urës në hyrje të qytetit të Lezhës, ka vrarë shtetasin Tonin Dashi, pas një konflikti për një parcelë toke. Menjëherë pas vrasjes ai është arratisur bashkë me familjen e tij, duke udhëtuar si shtetas kosovar në drejtim të Anglisë, ku ka jetuar deri në mesin e vitit 2010 pa u zbuluar nga policia. Madje duke përfituar edhe asistencë sociale me një emër të rremë. Gjoka ra në prangat e policisë kur bashkëshortja e tij, Drande Gjoka, u paraqit për të kërkuar azil dhe deklaroi se të shoqin ia kishin vrarë 10 vjet më parë. Por, teksa vëzhgoheshin nga policia për të provuar vërtetësinë e thënieve të bashkëshortes së 50-vjeçarit, ata u pamë dhe u filmuan bashkë në autobus e supermarket, më pas u zbulua edhe mashtrimi i tyre. Edhe shqiptari tjetër që u ekstradua dje nga Londra, Lulzim Hoxhaj, është një prej personave të skeduar nga Policia britanike si shqiptar që “maskohej” me emër të rremë dhe kërkonte strehim në Angli. Hoxhaj është dënuar me 23 vjet burg, pasi më datë 22 mars të vitit 1997, pranë Rafinerisë së Naftës në Fier, ku ishte i punësuar si roje, pas një grindjeje të momentit ka vrarë shtetasin Eduard Hoxha dhe ka plagosur dy të tjerë. Lulzim Hoxhaj, i kërkuar nga Drejtësia shqiptare, është kapur në Newcastle, ku ishte fshehur prej vitesh, duke përdorur emrin e rremë Idris Dervishaj.