Plumb në zemër shokut në lokal

Zona ku ndodhi vrasja në Shupenzë
BULQIZE/ Autori 23-vjeçar futet në pyll, dyshohet arratia drejt Maqedonisë. Ngjarja pas debatit të momentit.
Klientët në kafen e fshatit: E qëlloi me pistoletë pasi u përleshën.
Vritet me armë zjarri një 24-vjeçar në Shupenzë të Bulqizës. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 16:30, në një lokal të këtij fshati, kur viktima Shukuri Xhepa dhe autori 23-vjeçar, Dritan Uka, janë konfliktuar e më pas përleshur me njëri-tjetrin. Sipas Policisë, dy të rinjtë janë ndodhur në të njëjtin lokal, në anë të rrugës nacionale Bulqizë-Peshkopi. Në lokalin ku ndodhi ngjarja ka pasur edhe klientë të shumtë, të cilët u shoqëruan në cilësinë e dëshmitarëve okularë. Sipas dëshmisë së dhënë prej tyre në Policinë e Bulqizës, Xhepa dhe Uka, miq me njëri- tjetrin, ishin ulur në një nga tavolinat e lokalit dhe po pinin diçka, të vetëm. Papritmas, biseda e tyre ka marrë tone të larta deri në sharje e fyerje. Tentativa për të ndërhyrë ka qenë e kotë, pasi ata kanë nisur të godasin njëri-tjetrin jo vetëm me grushte, por edhe me mjete rrethanore që janë ndodhur në vend.
“Dritan Uka u largua nga lokali pas sherrit, por u kthye rreth 30 minuta më pas me një pistoletë në dorë. Ai nuk kishte qenë ndonjëherë problematik në fshat, ndaj ne nuk e prisnim që mund të qëllonte me armë. Askush nuk guxoi të ndërhynte, pasi ai hyri në mënyrë të menjëhershme me armën në dorë dhe qëlloi drejt shokut të tij. U ulëm në dysheme nga frika se mund të qëllonte edhe ndaj nesh”. Kështu mësohet të ketë deklaruar një nga klientët e lokalit ku ndodhi ngjarja, i cili është shoqëruar për të dhënë dëshminë e tij në Policinë e Bulqizës. Mësohet se 24-vjeçari ishte qëlluar në gjoks me një plumb. Pas ekspertizës së kryer nga mjekët ligjorë, rezultoi se plumbi i vetëm i kishte prekur zemrën viktimës. Pronari i lokalit dhe banorë të Shupenzës i kanë ardhur në ndihmë të riut. Ata e kanë vendosur në një mjet që lëvizte drejt Peshkopisë, por pa mbërritur në spitalin rajonal, Shukri Xhepa ka ndërruar jetë për shkak të plagës që kishte marrë dhe gjakut që kishte humbur në vendngjarje dhe gjatë rrugës. Në vendin e ngjarjes mbërritën efektiva të Policisë së Bulqizës dhe të Peshkopisë, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e motivit të krimit. Mësohet se menjëherë pas vrasjes, Dritan Uka është larguar nga Shupenza, duke tentuar t’i shmanget arrestimit. Dëshmitarët kanë pohuar se ai ka marrë drejtimin e Kovashicës, një zone e thellë e Shupenzës. Forca të shumta policie, nën drejtimin e drejtorit të Policisë së Qarkut Dibër, Shemsi Premçi, janë vënë në ndjekje të tij, por ka dyshime se ai po tenton të largohet drejt Maqedonisë, duke shfrytëzuar terrenin e thyer dhe natën. Grupi hetimor i ngritur nga prokurori i Dibrës, Hysni Vata, ka mbërritur në Shupenzë, ku morën dëshmi nga personat që ndodheshin në lokalin ku ndodhi krimi, por ende nuk kanë arritur në përfundimin e shkakut të krimit të rëndë. Pritet të merret edhe dëshmia e familjarëve, të cilët mund të jenë në dijeni të ndonjë konflikti të 24-vjeçarit me autorin e vrasjes. Paraprakisht nuk dihet ndonjë konflikt i hapur ndërmjet viktimës e autorit, që mund të ketë ndikuar deri në vrasjen e 24- vjeçarit.
BULQIZE/ HASAN PASHA