Raporti i DASH: Ra numri i të dënuarve për korrupsion

Departamenti Amerikan i Shtetit
“Shqipëria, vend tranzit për drogën, u dënuan 23 për qind zyrtarë më pak”
SHBA: Ryshfeti pranohet edhe në organet e Drejtësisë.
Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin vjetor për Shqipërinë, vëren rënie të numrit të zyrtarëve të dënuar për korrupsion në vitin 2011. Raporti vëren se korrupsioni vazhdon të jetë një nga problemet kryesore dhe të ngulitura thellë në Shqipëri. “Korrupsioni vazhdon të jetë i ngulitur edhe në institucionet e zbatimit të ligjit. Ky është një problem kyç për mosarritjen e progresit të madh edhe në luftën kundër drogës”, thuhet në raportin e DASH. Sipas tij, pagat e ulëta dhe pranimi i ryshfetit në Shqipëri, e bëjnë të vështirë luftën kundër korrupsionit, kryesisht në radhët e Policisë, gjykatave dhe zyrtarëve të Doganave. Në raport theksohet se, pavarësisht faktit që numri i përgjithshëm i rasteve të hetuara për korrupsion ka rënë me 3.9 për qind nga vitet e kaluara, Prokuroria ka pasur sukses në referimin e rasteve në gjykatë. Raporti vëren si fenomen negativ vendimet e gjykatave ndaj personave që akuzohen për korrupsion. “Në vitin 2010, Policia dhe Prokuroria kanë qenë aktive në hetimin e zyrtarëve të qeverisë dhe personelit të zbatimit të ligjeve, me akuzën e korrupsionit. Edhe pse numri i përgjithshëm i rasteve të hetuara ka rënë me 3.9 për qind, prokurorët kanë pasur sukses, duke referuar 17.3 për qind të rasteve në gjyq. Gjatë vitit 2010, Prokuroria ka regjistruar 534 raste korrupsioni dhe 555 raste të tilla në vitin 2009, por ka referuar përkatësisht 142 dhe 121 raste në Gjykatë. Me gjithë rritjen e çështjeve penale me akuzën e korrupsionit në gjykata, numri i vendimeve që shpallin fajtorë zyrtarë të korruptuar ka rënë nga 211 që ishin gjatë vitit 2010, në 162 vendime të tilla për vitin 2011, ose një rënie me 23 për qind”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, në pjesën për Shqipërinë. Sipas raportit, pavarësia e Gjyqësorit, transparenca dhe paanshmëria vazhdojnë të jenë problem shqetësues.
TRAFIKU I DROGES
Raporti i DASH i kushton rëndësi edhe çështjes së trafiqeve. Sipas dokumentit, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend tranzit i drogës për Europën Perëndimore, pasi grupet e krimit të organizuar përfitojnë nga pozicioni i saj strategjik, kufijtë lehtësisht të depërtueshëm të saj dhe mungesën e forcimit të ligjit. Në raport cilësohet se Shqipëria ka bërë një progres modest në luftën kundër trafikut të drogës, veçanërisht pasi qeveria shqiptare nuk mund t’i dedikojë shumë kohë apo burime abuzimit me drogën. Rezultat i kësaj është pikërisht fakti se nuk ka një panoramë të qartë të shtrirjes së abuzimit me drogën, megjithëse thuhet se ka një përdorim të madh të hashashit mes të rinjve shqiptarë, madje edhe të substancave që shiten ligjërisht në farmaci. Vihet në dukje gjithashtu se ka një rënie të kultivimit të bimës narkotike gjatë dy viteve të fundit, si pasojë e forcimit të aksionit kundër trafikantëve dhe kultivuesve. “Shqipëria vazhdon të bëjë progres në përpjekjet e saj antinarkotike, por pengohet nga institucionet e saj të dobëta politike, gjyqësore dhe ato të zbatimit të ligjit. Integrimi dhe përmirësimi i institucioneve të sistemit gjyqësor po bëjnë efekt, por progresi është i ngadaltë për shkak të pengesave politike dhe burokratike”, thuhet në raportin e DASH. Aty theksohet gjithashtu se falë instalimit të sistemit TIMS në 24 pikat kufitare të vendit dhe patrullimeve të vazhdueshme me logjistikën e nevojshme, Policia Kufitare është në rrugën e duhur për të parandaluar dhe zbuluar trafikimin e lëndëve narkotike.
SUBSTANCAT NARKOTIKE
“Edhe pse Ministria e Shëndetësisë pranon se përdorimi i drogës është në rritje, sidomos në mesin e të rinjve, nuk ka statistika për të përcaktuar shtrirjen e problemit. Shqipëria ka pak rregulla mbi shitjen e substancave narkotike, siç është edhe ‘Benzodiazepinë’, e cila vazhdon të shitet mbi banak në farmaci dhe abuzimi në familje të ndryshme nga këto medikamente është në rritje”, thuhet në raportin e DASH për vitin 2011. Ky lloj medikamenti klasifikohet si drogë e klasës “C” dhe përdorimi me doza të tepruara ka efekte e drogës së fortë.
ETLEVA DELIA