Ekstradohen dy të dënuar me 27 vjet për trafik
TIRANE- INTERPOL Tirana ekstradon nga Italia dy të dënuar me 27 vjet burg gjithsej për akuzën e trafikut dhe shfrytëzimit të prostitucionit. Petrit Liçi, 60 vjeç nga Elbasani dhe Ymer Shehaj, 32 vjeç nga Ballshi ishin dënuar nga gjykatat e Lushnjës dhe Fierit, respektivisht 15 dhe 12 vjet burg në mungesë. Sipas zëdhënësit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Klodian Branko, Liçi akuzohet se në bashkëpunim me të vëllanë, Gentjanin kanë mashtruar dhe më pas detyruar dhe shfrytëzuar për prostitucion të miturën I.SH., në Itali. Kurse Shehaj, ka mashtruar të miturën B.D., duke e marrë me vete në Greqi me premtimin se do ta çonte në Amerikë. Në Greqi mësohet se ka tentuar ta detyrojë të prostituonte dhe ndërsa ajo nuk ka pranuar, ka ushtruar dhunë dhe tortura fizike ndaj të miturës. Liçi ishte shpallur në kërkim në mars të vitit 2006, pas dënimit të dhënë në mungesë, kurse Shehaj në korrik të vitit 2003. Arrestimi dhe më pas ekstradimi i tyre mësohet se është bërë në sajë të shkëmbimit të informacioneve nga INTERPOL Tirana.
(s.g/BalkanWeb)