Gjiknuri: Djegien e kutive e ka në dorë Berisha, jo KQZ

Për djegien
Një absurditet juridik dhe i pa asnjë justifikim praktik, pasi data e zgjedhjeve nuk ka lidhje me djegien e fletëve dhe as me sistemimin e kutive. Është absurde të deklarosh se dekretimi i datës së zgjedhjeve 9 muaj përpara zgjedhjeve dikton djegien, a thua se vetëm kjo i mbetet KQZ për të bërë. Nuk e di si ia bënin zotërinjtë më parë kur data e zgjedhjeve dekretohej vetëm 2 muaj përpara zgjedhjeve.
Për kutitë
Shkrepësen dhe benzinën e kontrollon Sali Berisha dhe anëtarët e tij në KQZ nuk i mbetet të bëjnë përveç asaj që kanë bërë deri më tani, të presin urdhrin e "piromanit" në qeveri. Prandaj, ky debat nuk është për KQZ-në, por është një debat që vazhdon mes aktorëve kryesor politikë, opozitës nga njëra anë që kërkon transparencë dhe qeverisë nga ana tjetër që kërkon t'i vërë kapak kësaj çështje.
Për krizën
Por djegia nuk e shuan krizën, përkundrazi e ndez edhe më situatën politike. Në vend që të mendojë djegien është mirë të arrijë një kompromis mbi bazën e rezolutës së PE dhe të shmangë djegien si qëllim në vetvete. Nëse ka vullnet politik mund të arrihet fare lehtë ajo që thashë më lart. Pjesën tjetër le t'ia lërë KQZ-së që besoj se nuk është aq "hollë" sa për të blerë disa kuti të tjera plastike për zgjedhjet që vijnë.
Për Kodin
Të mos harrojmë një gjë, pasi shpesh dhe spekulohet, nuk ka nevojë për një kod të ri Zgjedhor apo sistem të ri zgjedhor, por vetëm amendime të disa dispozitave që mund të aplikohen në zgjedhjet vendore, prandaj kam bindjen se puna si për hetimin edhe për amendimet e kodit mund të përfundojë brenda vitit, duke i lënë kohë zgjedhjeve, të cilat pritet të zhvillohen në maj të vitit tjetër.
Deputeti i PS, në një intervistë për "Shekulli", komentoi opsionin e hedhur nga disa anëtarë të KQZ për boshatisjen e kutive
Nënsekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, deklaroi dje se shkrepësen dhe benzinën e kontrollon Sali Berisha dhe anëtarët e tij në KQZ nuk i mbetet të bëjnë përveç asaj që kanë bërë deri më tani, të presin urdhrin e "piromanit" në qeveri.
Në një intervistë të dhënë për gazetën "Shekulli", ai tha se ky debat nuk është për KQZ-në, por është një debat që vazhdon mes aktorëve kryesor politikë, opozitës nga njëra anë që kërkon transparencë dhe qeverisë nga ana tjetër që kërkon t'i vërë kapak kësaj çështje.
i pyetur mbi deklaratën e disa anëtarëve të KQZ se do të digjen kutitë me dekretimin e datës së zgjedhjeve, zyrtari socialist e cilësoi këtë si një absurditet juridik dhe i pa asnjë justifikim praktik, pasi data e zgjedhjeve nuk ka lidhje me djegien e fletëve dhe as me sistemimin e kutive.
Sipas tij, është absurde të deklarosh se dekretimi i datës së zgjedhjeve 9 muaj përpara zgjedhjeve dikton djegien, a thua se vetëm kjo i mbetet KQZ për të bërë.
"Por djegia nuk e shuan krizën, përkundrazi e ndez edhe më situatën politike. Në vend që të mendojë djegien është mirë të arrijë një kompromis mbi bazën e rezolutës së PE dhe të shmangë djegien si qëllim në vetvete", u shpreh deputeti i grupit Parlamentar Socialist.
Zoti Gjiknuri, anëtarë të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve kanë deklaruar se me dekretimin e datës së zgjedhjeve do të ndërmarrin hapat ligjorë për djegien e kutive.
Si e shikoni ju këtë lëvizje të disa prej anëtarëve të këtij institucioni?
Një absurditet juridik dhe i pa asnjë justifikim praktik, pasi data e zgjedhjeve nuk ka lidhje me djegien e fletëve dhe as me sistemimin e kutive. Është absurde të deklarosh se dekretimi i datës së zgjedhjeve 9 muaj përpara zgjedhjeve dikton djegien, a thua se vetëm kjo i mbetet KQZ për të bërë.
Nuk e di si ia bënin zotërinjtë më parë kur data e zgjedhjeve dekretohej vetëm 2 muaj përpara zgjedhjeve, pasi edhe atëherë kishin të njëjtat detyrime. Në fakt, këto deklarime janë diversion politik për të rritur trysninë dhe për të zhvendosur vëmendjen, pasi djegia e fletëve nuk mund të jetë kurrë prioritet i KQZ-së.
Po të ishte se ky organ funksionon në vakum dhe nuk di seç ndodh rreth tij, përse nuk i dogji më parë dhe çfarë e pengonte?
Përgjigja vjen natyrshëm, shkrepësen dhe benzinën e kontrollon Sali Berisha dhe anëtarët e tij në KQZ nuk i mbetet të bëjnë përveç asaj që kanë bërë deri më tani, të presin urdhrin e "piromanit" në qeveri.
Prandaj, ky debat nuk është për KQZ-në, por është një debat që vazhdon mes aktorëve kryesor politikë, opozitës nga njëra anë që kërkon transparencë dhe qeverisë nga ana tjetër që kërkon t'i vërë kapak kësaj çështje.
Nëse do të ishte problem praktik, mjafton që KQZ të blinte disa kuti të tjera apo të konservonte fletët e votimit në arkiv nëpërmjet një konsensusi politik dhe çështja nuk do të përbënte më debat publik.
Nëse një gjë e tillë do të ndodhë, cila është rruga që do të ndjekë Partia Socialiste?
Siç e thashë më lart, djegia e fletëve është vetëm lëvizje e Berishës, i cili bashkë me djegien kërkon të bëjë hi edhe vetë problemin duke e bërë fakt të kryer, duke shpresuar se këtij problemi i vihet kapak. Por djegia nuk e shuan krizën, përkundrazi e ndez edhe më situatën politike, që edhe sot është jo pak e ndezur.
Në vend që të mendojë djegien, është mirë të arrijë një kompromis mbi bazën e rezolutës së PE dhe të shmangë djegien si qëllim në vetvete. Besoj se për këdo është e qartë se nëse ka vullnet politik mund të arrihet fare lehtë ajo që thashë më lart.
Pjesën tjetër le t'ia lërë KQZ-së që besoj se nuk është aq "hollë" sa për të blerë disa kuti të tjera plastike për zgjedhjet që vijnë. Në të kundërt, unë nuk mund të parashikoj se ç'mund të ndodhë, por në mes të një krize të japësh shkas për të djegur çdo kompromis nuk do të ndodhë asgjë e mirë, përveç thellimit të krizës në një vend që lëngon nga shumë aspekte.
Dhe të mendosh që kjo mund të nxitet nga ai që qeveris këtë vend, i cili duhet të ishte i pari që të ofronte zgjidhje dhe siguri, të bën të mendosh që "piromaninë" e tij do ta kishte zili edhe vetë Neroni i Romës po të ishte gjallë.
Ka pasur një deklaratë të Kryeministrit Berisha, i cili është shprehur se është pro hetimit të materialeve zgjedhore. Ligjërisht, çfarë kuptojmë me materiale zgjedhore?
Ato janë të përcaktuara qartë në Kodin Zgjedhor, por ato që nevojiten për hetim, janë listat e votuesve, procesverbalet dhe librat e protokollit, të gjitha të kyçura në kutitë e materialeve zgjedhore.
A ka përpjekje gjatë këtyre ditëve nga socialistët për të arritur në një kompromis me demokratët?
Unë jam njohur nga media për përpjekjet dhe propozime të vazhdueshme nga ana e PS apo edhe për disa takime në nivel drejtuesish të grupeve parlamentare të PD dhe PS. Nga përvoja që unë kam pasur në këtë drejtim, këto takime apo çështjet e lidhura me to duhet të diskutohen në tryeza të ngushta negocimi politik e teknik duke ia lënë në dorë drejtuesve vetëm ratifikimin e tyre formal.
Kjo është rruga që negociohet çdo krizë, marrëveshje apo gjithçka tjetër që përfshin palë me interesa të ndryshme dhe jo rruga e asaj që në politikën moderne ka marrë etiketimin "diplomacia e megafonit" - pra negocimi mes akuzave, letrave të hapura apo konferencave për shtyp, e cila nuk ka gjasa të japë rezultat.
Nuk jam në dijeni të ndonjë negocimi të tillë, por nëse ka, Rezoluta e PE dhe kompromisi për hetim materialesh zgjedhore dhe mosdjegie fletësh, është më se i mundshëm politikisht, ligjërisht dhe teknikisht.
Cila do të ishte zgjidhja më e mirë për kutitë e votimit, që edhe zgjedhjet e ardhshme të mos rrezikoheshin?
Besoj se ju përgjigja pak më lart, hetim materialesh zgjedhore dhe mos djegie fletësh për ndonjë vendimmarrje eventuale në lidhje me to.
Mazhoranca ka ftuar opozitën t'i bashkohet komisionit të reformës zgjedhore në muajin shtator. A do t'i bashkëngjitet PS këtij komisioni?
Natyrshëm që Kodi Zgjedhor kërkon ripunim të pjesshëm për të adresuar një sërë problemesh të evidentuara në zgjedhje, por që ligji të ketë qëndrueshmëri dhe propozimet të mos vijnë thjesht si oportunizëm politik, një hetim i procesit që kaluam është i nevojshëm.
Fundja kjo është metodologjia klasike kudo në botë, e cila mund të përkufizohet si zinxhiri i hetimit, gjetjeve, rekomandimeve dhe zgjidhjeve juridike. Nëse ka vullnet politik jemi akoma në kohë, pasi hetimi mund të fokusohet në disa çështje të veçanta dhe mund të përfundojë nga fundi i vjeshtës duke i lënë një ose dy muaj kohë hartimit të amendimeve ligjore. Këto çështje mbi të gjitha duhet të përqendrohen tek administrimi dhe vendimmarrje në të gjitha shkallët e administratës zgjedhore.
Të mos harrojmë një gjë, pasi shpesh dhe spekulohet, nuk ka nevojë për një kod të ri Zgjedhor apo sistem të ri zgjedhor, por vetëm amendime të disa dispozitave që mund të aplikohen në zgjedhjet vendore, prandaj kam bindjen se puna si për hetimin edhe për amendimet e kodit mund të përfundojë brenda vitit, duke i lënë kohë zgjedhjeve të cilat pritet të zhvillohen në maj të vitit tjetër.
Qëndrimi i PS për këtë është i njohur, përfundimi i hetimit parlamentar në kohë do t'i hapte rrugë natyrshëm edhe amendimeve të Kodit Zgjedhor.