Ekstradohen nga Greqia 2 persona të shpallur në kërkim

Interpol Tirana ka ekstraduar gjatë ditës së sotme nga shteti helen dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Nga Athina, janë ekstraduar në vendin tonë shtetasit Arben Kallo, 41vjec, lindur në Korçë, si dhe Ergus Dhima, 34 vjec.
Kapja dhe ekstradimi i tyre u bë pasi, Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar shtetasin Arben Kallo me 15 vjet burg, për veprën penale të "Trafikimit të të miturve" . Po kështu e njëjta gjykatë ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg" për shtetasin Ergus Dhima, për veprën penale "Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike".
Shtetasi Arben Kallo ka trafikuar drejt Greqisë fëmijë të mitur me qëllim përdorimin e tyre si lypsa. Ndërsa shtetasi Ergus Dhima në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në vitin 2009, ka blerë me qëllim trafikimin në drejtim të Greqisë, një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit Cannabis sativa.
Arrestimi i tyre në Greqi u bë e mundur në sajë të bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.Në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas shtetasit e mësipërm i janë dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.