Ekstradohen nga Greqia dy shqiptarë që ishin në kërkim
Tiranë- Dy persona, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtësia shqiptare, njëri për "trafik prostitucioni", ndërsa tjetri për "shpërndarje të narkotikëve", u ekstraduan nga Greqia.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëri të ditur se Zyra Qendrore e Interpol Tiranës realizoi ekstradimin e shtetasit Neritan Cjapi, 37 vjeç, nga Roskoveci, i Fierit. 37-vjeçari Cjapi rezulton i dënuar në mungesë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me 10 vjet burg, për "shfrytëzimin për prostitucion në rrethana rënduese", të një vajze nga ky rreth për disa vite në Greqi. Gjithashtu, dje u bë i mundur ekstradimi i shtetasit Nuri Fusha, 37 vjeç, nga Berati, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit "arrest me burg", për veprën penale të "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike". Shtetasit e lartpërmendur janë arrestuar në Greqi dhe tashmë ekstraduar në Shqipëri, në sajë të bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologen e saj në shtetin fqinj.
Paqeruajtësit shqiptarë, mision në Afganistan për zgjedhjet
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, gjatë ditës së djeshme kreu një lidhje telefonike me Trupat tona Paqeruajtëse në Herat dhe Kabul të Afganistanit. Ministri Oketa është interesuar për situatën atje, ndërkohë që vendi po voton për presidentin e ri. Gjatë bisedës telefonike, komandantët e kontingjenteve tona, e njohën ministrin me ecurinë e misionit, të cilin e kanë konsideruar të suksesshëm dhe pa incidente. Ndërkohë, ministri Oketa i ka inkurajuar që të përmbushin me sukses të plotë detyrën e ngarkuar, duke theksuar se ndryshe nga paraardhësit e tyre, ata asistojnë në një proces të madh për Afganistanin, siç janë zgjedhjet presidenciale. Më datën 12 gusht, me vendim të Qeverisë, u nisë në Herat një mision shtesë me 110 trupa paqeruajtësish, mision i cili e çoi në 251 numrin e forcave tona në Afganistan. Ky kontingjent u nis pikërisht për të mbështetur përmbushjen e një procesi zgjedhor të qetë e demokratik, në këtë vend.
21 Gusht 2009