E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Tiranës dënon çdo ditë dy persona për vjedhje

Batërdi vjedhjesh në Tiranë, një person i dënuar disa herë për të njëjtën vepër penale

Laureta Rryçi

Gjykata e Tiranës dënon çdo ditë dy hajdutë. Statistikat zyrtare të kësaj gjykate tregojnë se vetëm në gjashtëmujorin e parë janë dhënë vendime për më shumë se 500 persona të akuzuar për veprën penale të vjedhjes. Edhe statistikat e Policisë dhe të Prokurorisë flasin për një numër të madh vjedhjesh që kryhen çdo ditë në kryeqytet. Kryesish më problem mbeten vjedhja e makinave dhe vjedhjet nëpër autobusë. Kontingjenti më problematik mbeten përsëritësit. Në këto raste dënimet e gjykatës bëhen edhe më të ashpra. Ka dosje vetëm me një të pandehur dhe në të tilla raste është kryer vjedhje në autobus ose nëpër shtëpi. Në rastet kur ka vjedhje makinash kryesisht hajdutët bashkëpunojnë në grup. Pasi pas vjedhjes ata mendojnë si ta largojnë makinën dhe më pas ta shesin me pjesë motorike.
Vjedhjet
Rritja e numrit të vjedhjeve në Tiranë ka bërë që policia të marrë masa të veçanta për të bërë të mundur minimizimin e tyre. Burime nga uniformat blu të kryeqytetit tregojnë se janë ngritur dhe patrulla të posaçme që kontrollojnë zonat gjatë 24 orëve. Mësohet se përparësi u është dhënë zonave periferike të kryeqytetit, ku dhe krime të tilla janë më të shpeshta dhe më të vështira për t’u zbardhur. Gjatë këtij vitit statistikat tregojnë se vetëm në një muaj arrestohen më shumë se 20 persona të përfshirë në këtë vepër penale.
Llojet e vjedhjeve
Problemi më i madh për Policinë e Tiranës është vjedhja e makinave, pasi numri është i lartë, ndërkohë që zbulueshmëria është e ulët. Sipas statistikave, në Shqipëri vidhet pothuajse një automjet në ditë dhe 80 për qind e vjedhjeve ndodhin në kryeqytet. Vetëm statistika e muajit janar shkon në 42 automjete të vjedhura, ndërkohë që zbulimi i vjedhjeve të makina është vetëm 40 për qind. Krimi kundër pronave, ku futen dhe vjedhjet, është bërë një tjetër problem shqetësues për policinë e kryeqytetit. Sipas statistikave të vitit 2009, kanë ndodhur 1500 krime kundër pronës. Ndërkohë që janë zbuluar rreth 500 prej tyre. Gjithashtu, janë organizuar dhe patrulla dyshe, ku efektiva të policisë, të veshur civilë mbikëqyrin urbanët e kryeqytetit.

Shifrat

Vjedhje me dhunë të ndodhura në 2008-n

Ndodhur 94, zbuluar 64, në përqindje 68

Vjedhje me armë të ndodhur në 2008-n

Ndodhur 47, zbuluar 24, në përqindje 51

Viti 2009

21 të arrestuar për krimin e vjedhjes

Të dënuar nga gjykata deri tani janë 520 persona

21 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›