E Diel, 1 Nëntor 2026

Kursi i këmbimit në qershor, zhvlerësimi i lekut humb 30 milionë dollarë



Luhatjet e shpeshta që ndodhën në kursin e këmbimit gjatë periudhës së fundit sollën humbje të larta për rezervën valutore. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, gjatë muajit qershor të vitit 2009 humbja neto nga luhatja e kursit të këmbimit të rezervës valutore është 2,758 milionë lekë. Me një diferencë prej 2 miliardë lekë më tepër se muaji paraardhës. Për muajin maj të këtij vitit humbja neto që erdhi nga këto luhatje llogaritej 753 milionë lekë. Sipas analizës së BSH-së, kjo përbëhet nga luhatja negative e kursit të këmbimit të monedhave të huaja prej 2,285 milionë lekë dhe nga luhatja negative e kursit të këmbimit dhe e vlerës së tregut të arit dhe metaleve të çmuara prej 473 milionë lekësh. Luhatjet e tregut valutor përbëjnë një rrezik, që duhet marrë në konsideratë. BSH-ja ka paralajmëruar aktorët e tregut valutor, pa përjashtuar as publikun e gjerë, që të jenë sa më të kujdesshëm në vlerësimin dhe administrimin e rrezikut të kursit të këmbimit. BSH-ja ka njoftuar se ka ardhur koha që për t’u mbrojtur nga lëvizjet në kursin e këmbimit të rritet përdorimi i instrumenteve më komplekse financiare, siç mund të jenë kontratat e së ardhmes. Pas analizave që ka bërë banka ka vlerësuar se ecuria aktuale e kursit të këmbimit me zhvlerësim të lekut është shkaktuar nga rritja e numrit dhe sasisë së kërkuar nga disa operatorë të veçantë, që kanë çuar në një përqendrim joracional të kërkesës për valuta. Për këtë fenomen, institucioni më i lartë financiar ka bërë herë pas herë thirrje se nuk duhet neglizhuar rrezikshmëria që vjen nga luhatjet e shpeshta të kursit të këmbimit.

Kursi në ditët e fundit, vijon zhvlerësimi në këmbime për lekun

Edhe dita e djeshme ishte një ditë zhvlerësimi për lekun shqiptar në këmbimet valutore të kryera në Tiranë. Sipas Bankës së Shqipërisë, leku ka humbur terren në këmbimet me të gjitha valutat, me përjashtim të dollarit australian. Dollari amerikan, që kishte fituar 0.19 lekë një ditë më parë, ka marrë sërish 0.34 lekë dje; euro që kishte fituar 0.40 lekë, dje mori sërish 0.26 lekë; paundi britanik, i rivlerësuar dy ditë më parë me 1.37 lekë, fitoi terren me 0.23 lekë; franga zvicerane, që ishte rivlerësuar me 0.41 lekë, dje fitoi edhe 0.36 lekë të tjera, ndërkohë që vetëm ari dhe argjendi kanë humbur terren në shkëmbimet me lekun, sipas kursit zyrtar, të shpallur nga BSH-ja dje. Fakti është që kjo tendencë zhvlerësimi e lekut, e filluar që vitin e kaluar, vjen si pasojë e prurjeve më të pakta valutore nga emigrantët. Por, ndërkohë që statistikat zyrtare flasin për një rritje të fluksit të turistëve, dhe në përgjithësi të qytetarëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë, i vetmi shpjegim i arsyeshëm për rritjen e kërkesës për euro, dollarë e paund është që vizitorët që vijnë nga jashtë shpenzojnë shumë më pak para se më parë për pushime. Nga fillimi i këtij viti, euro është rivlerësuar me 5.9% në këmbimet me lekun, ndërkohë që dollari ka reflektuar një dobësim të pozitës në tregjet botërore, por ka mbetur thuajse i pandryshuar në këmbimin me lekun. Sipas ekspertëve, problemet që mund të lindin nga kjo situatë kanë të bëjnë me shtrenjtimin e borxhit qeveritar, që paguhet në valutë të huaj, por edhe të kësteve të klientëve privatë për kreditë e marra. Po kështu, bilanci tregtar do të përkeqësohet më tej, ndërkohë që vetëm eksportuesit do të kenë përfitim. Janë disa faktorë që mund të sjellin rënie të vlerës së lekut, për të cilën BSH përdor termin "Luhatje të mëdha": importet e larta dhe të shtrenjta, deficiti i lartë buxhetor për këtë vit, shoqëruar me rënie të investimeve të huaja dhe remitancave.

21 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›