E Diel, 1 Nëntor 2026

Papajani, letër drejtorive tatimore në rrethe: “Mblidhni tatimet, ose lini detyrën”

Drejtoria e Investigimit të Brendshëm nis kontrollet për rastet e korrupsionit

Ervin KOÇI

Mungesa e parave në arkën e shtetit e ka detyruar qeverinë që përveç reduktimit të shpenzimeve, të shtrydhë dhe institucionet në varësi të saj, sidomos ato që sjellin më shumë të ardhura për arkën e shtetit. Në këtë linjë të parat janë Doganat dhe Tatimet, ku këto të fundit kanë raportuar bilance tepër të ulëta në arkëtimin e taksave dhe tatimeve, sidomos në dy muajt e fundit. Nisur nga kjo situatë, për të disatën herë drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, u ka bërë apel vartësve të tij duke i shtuar dozat e “presionit”, me qëllim final arritjen e objektivave në plotësimin e shifrave të arkëtimit të taksave dhe tatimeve. I ndodhur përballë një situate vërtet kritike, ku pjesa më e madhe e subjekteve private dhe kryesisht bizneset në rrethe kanë nisur të mos paguajnë më në masën e duhur taksat dhe tatimet, numri një i Tatimeve, Papajani, ka kërkuar nga drejtoritë e qarqeve që të vjelin me çdo kusht jo vetëm tatimet aktuale, por dhe ato të prapambetura. Me anë të një letre drejtuar zyrtarisht të gjitha drejtorive tatimore në qarqe dhe drejtuesve të tyre, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, jo vetëm që ka kërkuar mbledhjen e të gjitha detyrimeve tatimore ndaj biznesit, por ka kërkuar në të njëjtën kohë edhe denoncimin e të gjitha atyre rasteve kur punonjës tatimor favorizojnë subjekte private të caktuara në pagesën e tatimeve. Në këtë mënyrë kreu i DPT-së ka lënë të hapur edhe mundësinë e një reforme të radhës në këtë sektor, ku nuk janë të pakët punonjësit që dyshohen për favorizime të bizneseve dhe abuzime me detyrën, të cilët kanë nisur të bëhen edhe objekt i hetimeve të Drejtorisë së Investigimit të Brendshëm në Tatime.

Korrupsioni

Mosvjelja e detyrimeve tatimore ndaj bizneseve nga DPT-ja ka bërë që krerët e Tatimeve të shtojnë gjithmonë e më tepër dyshimet për funksionimin e rrjeteve të hershme korruptive nga vetë punonjësit e kësaj administrate. Në këtë linjë është shprehur edhe në letrën e tij të fundit kreu i DPT-së, Papajani, i cili ua ngarkon përgjegjësinë për mungesën e arritjes së objektivave vetë punonjësve të administratës tatimore, e sidomos atyre në rrethe. “Jemi të ndërgjegjshëm se disa nga kolegët tanë e kanë keqpërdorur detyrën dhe autoritetin që i jep ligji dhe e kanë dëmtuar besimin publik ndaj pjesës tjetër të stafit dhe ndaj administratës tatimore në tërësi. Sjelljet korruptive duhet të jenë absolutisht të papranueshme për punonjësit e administratës tatimore. Ata që shkelin ligjin dhe përfshihen në akte dhe veprime korruptive, do të dënohen në përputhje me ligjin”,- ka theksuar Papajani në letrën e tij drejtuar drejtorive në qarqe. Më tej ai u ka bërë thirrje vet drejtuesve dhe punonjësve të administratës që të denoncojnë çdo rast të konstatuar, në një kohë që u ka kërkuar edhe vet bizneseve që të denoncojnë çdo rast shkeljesh apo korrupsioni. Për këtë qëllim kreu i Tatimeve ka vënë në dispozicion edhe disa adresa dhe numra telefoni nga ku mund të bëhen denoncimet për çdo rast. Ai u ka kujtuar punonjësve tatimor edhe hetimet që kanë nisur nga strukturat e brendshme të DPT-së, për abuzimet në këtë sektor. “Nëse keni dijeni për sjellje korruptive apo në kundërshtim me kodin e etikës të kryera nga punonjës të veçantë të administratës tatimore, ju duhet të informoni Drejtorinë e Investigimit të Brendshëm. Ne nuk duhet të lejojmë që individë të veçantë të dëmtojnë punën, imazhin, përpjekjet dhe institucionin tonë”,- thuhet në letrën e Papajanit.

Sanksionet

Qeveria ka marrë vendim që të mos u rimbursojë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar të gjitha subjekteve private që rezultojnë si borxhlinj ndaj organeve tatimore. Sipas këtij vendimi, i cili është bërë publik nga Ministria e Financave, të gjitha bizneset që nuk paguajnë rregullisht taksat ose që kanë borxhe të prapambetura të pashlyera ende në tatime, nuk do të marrin rimbursimin e TVSH-së. Sektori privat në Shqipëri, gjatë pjesës së parë të vitit, ka pësuar një rënie të ndjeshme të aktivitetit të tij gjë që ka bërë që edhe fuqia e tij për të paguar taksa të jetë më e vogël. Të dhëna zyrtare të Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se të ardhurat nga zëra që tregojnë drejtpërdrejt aktivitetin e biznesit kanë pasur mosrealizimin më të madh gjatë këtyre gjashtë muajve. Kësisoj të ardhurat nga TVSH-ja por dhe tatimi mbi fitimin, një zë ky që tregon qartë xhiron e biznesit, janë realizuar vetëm 86 për qind dhe duke bërë që në buxhet të mungojnë për këtë shkak rreth 1,1 miliardë lekë ose rreth 11 milionë dollarë. Siç është bërë e ditur të ardhurat kanë pasur mosrealizime të qarta edhe në taksën e akcizës etj. Kriza ekonomike e këtij viti ka bërë që të ardhurat nga taksat në buxhet të tkurren, në një kohë kur shpenzimet të nxitura edhe nga fushata elektorale kanë qenë në nivele rekord. Të dhënat zyrtare tregojnë se në gjysmën e parë të vitit, deficiti buxhetor ishte rreth 70 milionë dollarë më shumë se parashikimi dhe duket i vështirë për t’u mbajtur nën kontroll pa burime të reja financiare.

Mospagesa e taksave, Tatimet gati sekuestrimet për kompanitë “rebele”

Subjektet private që iu shmangën gjatë muajve të fundit pagesës së taksave dhe tatimeve duke përfituar nga rrëmuja elektorale, nuk do të tolerohen në asnjë moment. Tatimet kanë intensifikuar këto ditë kontrollet mbi bizneset, në një kohë që kjo administratë ka hartuar dhe “listën e zezë” e subjekteve debitore. Rregullorja e re, e miratuar prej kreut të Tatimeve, Papajani, ndryshon metodikën e kontrolleve sistematike mbi bizneset e dyshimta. Rregullorja “Mbi procedurat e zgjedhjes për kontroll” përcakton rregullat dhe procedurat për zgjedhjen e deklaratave tatimore dhe tatimpaguesit për t’u kontrolluar. Procesi i zgjedhjes për kontroll do të përdorë analizën e riskut për identifikimin e atyre deklaratave tatimore dhe tatimpaguesve me rrezik më të lartë potencial për fshehjen e detyrimeve tatimore. Kjo rregullore i shtrin efektet që nga 1 maji i vitit 2009. Me aplikimin e saj, nuk do të përdoret më kontrolli dhe praktikat ekzistuese. Kështu, praktika e kontrollimit të çdo tatimpaguesi për të gjithë llojet e tatimeve dhe taksave deri nga kontrolli i fundit, pra mbulimi me kontroll i të gjithave periudhave dhe të gjithë tatimeve, nuk duhet të vazhdojë të aplikohet. Sipas drejtuesve të Tatimeve, është e pamundur që të kontrollohen me efikasitet të gjithë tatimpaguesit për të gjithë tatimet dhe periudhat tatimore. Prandaj, ky institucion ka vendosur të zgjedhë deklaratat, periudhat dhe tatimpaguesit “me rrezik” më të lartë në fshehje dhe nëpërmjet kontrolleve të sakta profesionale ndaj tyre të bëjë të mundur zbulimin dhe dënimin sipas ligjit.

Biznesi përshëndet heqjen e taksës së aeroportit me Turqinë

Heqja e taksës prej 10 eurosh me Turqinë është një lajm i mirë jo vetëm për shqiptarët, të cilët vizitojnë resurset turistike të këtij vendi, por edhe për biznesin turk, pasi investimet turke në dy vitet e fundit kanë njohur një rritje të madhe. Hapi i ndërmarrë nga qeveritë e dy vendeve është i rëndësishëm jo vetëm për kompanitë turistike që operojnë me Turqinë, i cili është vendi që shqiptarët e vizitojnë më shumë, por edhe për bizneset. Më shumë se 10 euro të kursyera për çdo shqiptar që viziton Turqinë dhe koha që kursen ai nga shkurtimi i kësaj procedure, e rëndësishme është mirëbesimi dhe interesi reciprok që shprehin dy qeveritë tona. Arritja e kësaj marrëveshjeje përbën një lehtësi edhe për palën turke, pasi janë të shumtë në numër investitorët, por edhe specialistët turq që udhëtojnë drejt vendit tonë. Këshilli i Ministrave miratoi një ditë më parë marrëveshjen me Turqinë për heqjen e taksës prej 10 eurosh, të cilën shtetasit shqiptarë dhe turq paguanin në aeroportet reciproke.

21 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›