E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-Presidenti Cërvenkovski: “Pas Greqisë, Shqipëria pengesë për Maqedoninë”

Ish-kreu i shtetit maqedonas nuk beson për një bllokim nga ana e Tiranës zyrtare

Pas Greqisë, edhe Shqipëria mund të bëhet pengesë për integrimin e Maqedonisë. Ky ka qenë aludimi i ish-presidentit maqedonas, Branko Cërvenkovski, i cili ka komentuar mundësinë e një vetoje nga Tirana zyrtare për integrimin e vendit të tij në NATO. Gjithçka mori shkas nga deklarata e kreut të Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin Berisha, kur tha se nuk përjashtohet mundësia e bllokimit të Maqedonisë për anëtarësimin në Aleancë nëse këtë gjë do ta kërkojnë shqiptarët. Cërvenkovski, i cili i përket partisë opozitare, LSDM-së, ka komentuar dje edhe zhvillimet në politikën e Shkupit, bojkotin e PDSH-së dhe mundësinë e krijimit të një qeverie hije.
Bllokimi nga Tirana zyrtare
Zërave të hedhur nga partia shqiptare në opozitë për një veto të mundshme nga ana e Shqipërisë për integrimin në NATO të shtetit fqinj i është përgjigjur edhe ish-presidenti Branko Cërvenkovski. Idenë e fundit të kreut të PDSH-së, Menduh Thaçi, që edhe Shqipëria të vendosë veton ndaj Maqedonisë, Cërvenkovski e quajti të gabuar. Ai pohoi dje para gazetarëve se “ishte i sigurt që Shqipëria nuk do ta lejojë një gjë të tillë”. Por, ish-kreu i shtetit maqedonas tha se “kjo tregon mundësinë që pas Greqisë edhe Shqipëria mund të pengojë integrimin e vendit në NATO”. Një tjetër pengesë për shtetin fqinj në procesin e integrimit euroatlantik është Greqia, e cila ka qenë në qendër të komenteve të ish-presidentit Cërvenkovski. Në emër të partisë opozitare, LSDM, ku ai aderon, Cërvenkovski inkurajoi “qeverinë që të hyjë në bisedime thelbësore dhe intensive për të gjetur një zgjidhje, pasi zvarritja e saj do t’i sillte vonesa të tjera Maqedonisë për në NATO dhe BE”.
Akuza e ish-presidentit
Vala e dhunës ndaj shqiptarëve në Shkup dhe bojkoti i Parlamentit nga PDSH-ja e zotit Thaçi nuk kanë qenë jashtë vëmendjes së ish-kreut të shtetit, Branko Cërvenkovski gjatë ditës së djeshme. Ai akuzoi qeverinë “Gruevski” se po luan me zjarrin përsa u përket marrëdhënieve ndëretnike, që sipas tij, janë përkeqësuar për shkak të tezës së gabuar të kryeministrit Gruevski për shpalljen e moratoriumit për zgjidhjen e çështjeve etnike. “Nëse kjo politikë nuk ndryshon, atëherë marrëdhëniet ndëretnike do të përkeqësohen më tej”, - deklaroi Cërvenkovski. Lidhur me partitë shqiptare, Cërvenkovski tha se partia e tij, LSDM, ndodhet në një situatë të re ku u ka hapur atyre të gjitha rrugët për bashkëpunim. “LSDM-ja nuk ka parti favorite në bllokun shqiptar. Në rast se LSDM-ja do të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si partner në koalicionit do të marrë subjektin politik shqiptar që do të sigurojë më tepër vota te shqiptarët”. Kjo parti pritet të mbajë në shtator të këtij viti kongresin zgjedhor të saj, ku priten ndryshime jo të vogla. Ai njoftoi dje se ka krijuar një qeveri hije, duke qenë i përgatitur për çdo rast që të marrë përgjegjësi për qeverisjen e vendit.
Marrëdhëniet ndëretnike
Gjatë kohëve të fundit janë shënuar përplasje dhe tensione mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Pikërisht, në momentin kur po kremtohej 8-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit, pati polemika dhe akuza për zhvlerësimin e saj. Disa parti vazhdojnë të mbeten pro kësaj marrëveshjeje, ndërsa disa subjekte të tjera, përfshirë edhe PDSH-në e Menduh Thaçit, janë për rishikimin e saj. Opozita shqiptare në Maqedoni pretendon se nuk është zbatuar pika për dygjuhësinë, si dhe popullsia etnike shqiptare diskriminohet nga pushtetit i Shkupit. Një gjë e tillë kundërshtohet nga partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, e kryesuar nga zoti Ahmeti. Po ashtu, kohët e fundit ka pasur edhe përplasje mes komuniteteve ndëretnike shqiptaro-maqedonase në Shkup, ku janë regjistruar disa raste keqtrajtimesh të shqiptarëve. Gjithsesi, Maqedonia, 8 vjet pas firmosjes së Marrëveshjes kornizë të Ohrit, po shfaq shenja dobësie përsa i përket bashkëpunimit me shqiptarëve dhe ndërtimit të përbashkët të shtetit dhe institucioneve.

Akuza BDI-së për mbrojtjen e të drejtave shqiptare

Bashkimi Demokratik për Integrim nuk mund të realizojë premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore dhe të mbrojë interesat e shqiptarëve si pjesë e Ekzekutivit. Kjo akuzë ka ardhur dje nga Partia Demokracia e Re, e cila ka pohuar zyrtarisht se partia qeverisëse e vendit “VMRO-DPMNE” e kryeministrit Gruevski nuk ka realizuar të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë të sanksionuara në ligj. “BDI nuk është në gjendje dhe nuk është e aftë, nuk ka aftësi e kapacitete të mjaftueshme që të mund të realizojë të gjitha nevojat dhe kërkesat e popullit shqiptar dhe të përmirësojë statusin e shqiptarëve në Maqedoni. Është e kuptueshme dhe ndoshta normale pozita e VMRO-DPMNE-së, por ne nuk duhet ta pranojmë pozitën e saj inferiore ndaj çështjes shqiptare, andaj faktori shqiptar duhet të jetë ai që do të artikulojë interesat e popullit shqiptar”, - shprehet Flora Kadriu, koordinatore e DR-së. Ndërkaq, BDI-ja i ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga Partia Demokracia e Re, që drejtohet nga Imer Selmani, duke i konsideruar si të pabaza.

Tensionet në Maqedoni sjellin në zyrën e Berishës Menduh Thaçin dhe Ali Ahmetin

Ngjarjet e ndodhura gjatë kohëve të fundit janë bërë shkas që udhëheqja shqiptare në Maqedoni ta vizitojë më shpesh Tiranën zyrtare. Vetëm gjatë 10-ditëshit të fundit kryeministri Berisha ka pritur në zyrën e tij kreun e partisë në opozitë, Menduh Thaçi dhe kryetarin e partisë në pushtetit, zotin Ali Ahmeti, i cili po zhvillon takimet zyrtare në Shqipëri edhe gjatë këtyre ditëve. Ditën e mërkurë, kryeministri Berisha pati një takim me zotin Ahmeti, ku sipas burimeve zyrtare, “biseda është përqendruar në marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve, ku u vlerësua në mënyrë të veçantë fryma e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët midis Maqedonisë dhe Shqipërisë”. Sipas njoftimit të Këshillit të Ministrave, “Berisha vlerësoi kontributin e zotit Ali Ahmeti dhe të BDI-së në zhvillimet e brendshme në Maqedoni”. Në qendër të bisedimeve kanë qenë zhvillimet ekonomike, projektet e infrastrukturës, veçanërisht Rruga e Arbrit dhe nxitja dhe zhvillimi i turizmit. Por, takimi i kreut të BDI-së, zotit Ali Ahmeti, vjen menjëherë pas bojkotit të Kuvendit të Maqedonisë nga PDSH-ja e zotit Menduh Thaçi. Ky i fundit e ka akuzuar zotin Ahmeti dhe partinë e tij për shitje të interesave të shqiptarëve dhe moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Pak ditë më parë, Menduh Thaçi ishte në Tiranë dhe pasi u kthye në Maqedoni pohoi në media se i ka kërkuar kryeministrit Berisha që të vërë veton për integrimin e Maqedonisë në NATO nëse nuk zbaton Marrëveshjen e Ohrit dhe të drejtat e shqiptarëve etnikë. Në të njëjtën kohë, Thaçi lajmëroi edhe bojkotin e punimeve të Parlamentit të Maqedonisë pasi pretendon se nuk respektohen të drejtat e shqiptarëve nga qeveria dhe shteti maqedonas. Ky vendim është kundërshtuar nga komuniteti ndërkombëtar, e veçanërisht nga përfaqësuesit diplomatikë të Uashingtonit dhe Brukselit në Shkup.

Berisha turbullon politikën e shqiptarëve në rajon

Qëndrimet e fundit të kreut të qeverisë, zotit Berisha, kanë shkaktuar jo pak tensione në mjediset politike shqiptare në Shkup e Prishtinë. Rreth dy javë më parë ai priti në Tiranë zotin Menduh Thaçi dhe menjëherë më pas kreu i PDSH-së shkoi në Shkup, ku deklaroi bojkotin e partisë së tij nga Kuvendi dhe paralajmëroi një veto të mundshme të Maqedonisë për integrimin në NATO nga Tirana zyrtare. Kjo çështje u rimor katër ditë më parë nga zoti Ali Ahmeti, i cili tha se Shqipëria nuk e ndërmerr një veprim të tillë. Madje, ai erdhi vetë në Tiranë, ku ka pasur takim me zotin Berisha dhe po zhvillon edhe takime të tjera gjatë këtyre ditëve. Një tjetër moment ka qenë ai i përplasjes së partive politike shqiptare në Kosovë pas deklaratave dhe partneriteteve të privilegjuara që ka ofruar zoti Berisha. Ai fillimisht firmosi një Moratorium me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, të drejtuar nga zoti Ramush Haradinaj. Një lëvizje e tillë në prag të zgjedhjeve vendore në Kosovë u prit keq nga aleati tradicional i PD-së në Prishtinë. LDK-ja dërgoi në Tiranë një delegacion që kryesohej nga dy nënkryetarët e saj dhe u takua me Berishën, i cili, pa droje, ofroi mbështetje për zgjedhje. Sërish, edhe një deklaratë e tillë u pasua me deklarata dhe pakënaqësi për kreun e qeverisë shqiptare.

21 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›