E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvlerësimi i lekut ndaj euros, shtrenjtohen qiratë dhe shërbimet

Çmimet e qirave shënuan një rritje në 7.5% në 3-mujorin e dytë të vitit

Ervin KOÇI

Monedha shqiptare, leku, i ka zhgënjyer të gjithë me mosstabilitetin e gjatë në treg, i cili nuk u ndal as këtë verë, që shihej si koha më optimale që monedha jonë të merrte veten kundrejt valutave. Zhvlerësimi i ndjeshëm i monedhës vendëse, lek, ndaj euros ka bërë që jo vetëm shumë çmime dhe shërbime të mbeten të shtrenjta, por edhe të tjera që kanë qenë më të ulëta gjatë kësaj kohe të pësojnë rritje ndikuar dhe nga forcimi i vazhdueshëm i euros. Një nga sektorët që ka pësuar rritje në çmime prej zhvlerësimit të lekut dhe forcimit të euros është edhe sektori i qirave, çmimi i të cilave pësoi një rritje. Sipas të dhënave të fundit të nxjerra nga Banka e Shqipërisë për kryeqytetin, çmimet e qirave shkojnë në 7.5 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2009 (rritja është 5.9 për qind sipas matjeve të indeksit të qirasë duke zbritur efektin e vlerësimit të kursit lek/euro). Në krahasim me tremujorin e kaluar indeksi i qirasë u ul me 14.7 për qind (16 për qind pa efektin e vlerësimit të kursit lek/euro). Ndryshimi me kahe të kundërta i çmimit dhe qirasë së banesave në tremujorin e dytë në krahasim me të parin ka rezultuar në rritje të raportit çmim/qira. Ky raport qëndron sipër prirjes së tij historike në tremujorin aktual, pas një periudhe njëvjeçare në rënie gjatë të cilës ka qenë poshtë mesatares afatgjatë.

Çmimet e banesave

Rritja faktike në indeksin e çmimeve të shitjes në tremujorin e dytë të vitit 2009 është paraprirë nga vlerësime të bizneseve ndërtuese për rritjen e çmimeve të prodhimit, sipas të dhënave cilësore të mbledhura nga vrojtimet e besimit. Në linjë me vlerësimin për rritje të çmimeve të prodhimit gjatë tremujorit të parë të vitit, bizneset presin rritje të çmimeve të prodhimit gjatë tremujorit të dytë të vitit 2009. Pritjet për çmimet në rritje nga ana e bizneseve ndërtuese shkojnë në një drejtim me parashikimin e bizneseve ndërtuese për pakësim të inventarëve, të cilët ishin rritur shumë në tremujorin e fundit të vitit 2008, duke sugjeruar se oferta në tregun e pasurive të paluajtshme do të mbetet e qëndrueshme. Nga ana tjetër, shtrëngimi i kushteve të kreditimit gjatë vitit 2009, bazuar në vrojtimin e aktivitetit kreditues sugjeron për një ndrydhje të kërkesës. Dinamika e kërkesës dhe ofertës në tregun e pasurive të paluajtshme, në kushtet e një kërkese më të tërhequr dhe të një oferte të qëndrueshme, sugjeron një frenim të rritjes së mëtejshme të çmimeve mbi nivelin aktual. Kjo përbëhet nga luhatja negative e kursit të këmbimit të monedhave të huaja prej 2,285 milionë lekë dhe nga luhatja negative e kursit të këmbimit dhe e vlerës së tregut të arit.

Ekspansioni i euros

Në Tiranë dhe në qendrat e mëdha tregtare në qytete të tjera, nëse futesh në shumë dyqane, nuk të duket se je në Shqipëri. Etiketat e çmimeve të veshjeve dhe artikujve të tjerë janë vetëm në euro. Por euromania ka pushtuar në mënyrë masive edhe turizmin këtë vit. Thuajse të gjitha hotelet turistike çmimet i kanë vendosur në euro dhe pushuesit e huaj apo shqiptarë që disponojnë euro pagesën e kanë bërë direkt në këtë monedhë, duke shmangur kështu konvertimin e saj në monedhën vendase. Kjo praktikë po zbeh gjithnjë e më shumë rolin e lekut, edhe pse ai është monedha zyrtare në të cilën edhe paguhen të gjithë shqiptarët e punësuar. Ekspertët thonë se kjo jep ndikime negative direkt tek qytetarët, paga e të cilëve luhatet me luhatjen e kursit të këmbimit të euros. Në vende të tjera të rajonit, sikurse është Maqedonia apo edhe Kroacia, euroja nuk përdoret fare, ose përdoret shumë pak si monedhë për të blerë artikuj.

21 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›