E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohen nga Italia 2 persona, akuzohen për prostitucion e vjedhje

Dy persona janë ekstraduar nga Italia drejt vendit tonë pasi akuzohen për prostitucion dhe vjedhje me dhunë.  Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana njofton se rreth orës 12.30, u krye ekstradimi nga Roma, Itali, drejt vendit tonë, i dy shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Arben Xhaferri 36 vjeç, lindur në Kavajë si dhe Miftar Xheleshi 29 vjeç, lindur në Bulqizë.
 

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë e ka dënuar shtetasin Arben Xhaferri me 10 vjet burg, për veprën penale të "Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese", ndërsa gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër e ka dënuar me 12 vjet burg shtetasin Miftar Xheleshi, për veprën penale të "Vjedhjes me armë", parashikuar nga neni 140 i Kodit Penal.
 

Arben Xhaferi është deklaruar fajtor pasi në bashkëpunim me një tjetër shtetas, gjatë vitit 1997, nëpërmjet mashtrimit, duke i premtuar për martesë, ka dërguar në Itali shtetasen F. M., 17 vjeç, ku më pas e ka detyruar të ushtrojë prostitucion. Ndërsa Miftar Xheleshi është shpallur fajtor pasi në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë ka vjedhur me armë një banesë në Dibër të Madhe, Maqedoni, duke marrë një shumë prej 5400 eurosh dhe disa bizhuteri floriri.
 

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i këtyre shtetasve në Itali, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas këta shtetas i janë dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›