E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohen nga Italia dhe Britania dy të kërkuarit për vrasje

Interpol Tirana ka bërë të mundur ekstradimin drejt vendit tonë të dy personave të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje.

Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana ka bërë të mundur ekstradimin nga Roma drejt vendit tonë të 36-vjeçarit Gëzim Muji i cili akuzohet për vrasjen e një personi në qytetin e Shkodrës.
 

36-vjeçari Muji akuzohet se në datën 22.06.2001, në lagjen "Partizani", në Shkodër, ka vrarë me armë zjarri tip pistoletë për motive hakmarrje Vaid Mujaxhiun.
 

Muji ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg, për kryerjen e veprave penale "Vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje".

Gjithashtu është ekstraduar nga Anglia edhe 35-vjeçari Selami Çakollari lindur në Korçë.  Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë,  ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë "Arrest në burg" për kryerjen e veprave penale "Vrasje me paramendim" e kryer në bashkëpunim, "Armëmbajtje pa leje" dhe "Falsifikim i dokumenteve".
 

Në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas, dy të ekstraduarit i janë dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›