Dalipi: “Berisha shkeli premtimet për përmirësimin e infrastrukturës”
Deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Dalipi, akuzoi kryeministrin Berisha se shkeli premtimet për përmirësimin e infrastrukturës dhe akseve rrugore në vend. Dalipi tha se për shkak të gjendjes së mjeruar të rrugëve, numri i turistëve që vizituan Shqipërinë këtë verë ishte shumë më i pakët, ndërkohë që rrugët sollën mjaft probleme edhe për mjaft emigrantë shqiptarë që vizituan vendin këtë verë. “Nga Veriu në Jug ritmet elektorale kanë marrë peng zhvillimin e vendit, nga Veriu ne Jug makutëria dhe papërgjegjshmëria në çdo segment rrugor të filluar po i merrte jetën qytetarëve, nga Veriu në Jug, në prag të shtatorit të tretë, dy vjet me vonesë, i vetmi objekt publik i përfunduar i kësaj qeverie, nisur para vitit 2005, edhe kjo sipas deklaratave, është ai Gjirokastër-Tepelenë”, - tha Dalipi. Ai iu referua gjithashtu mospërfundimit të punimeve në akset Shkodër-Hani i Hotit, në Rrugën e Arbrit, si dhe në asket Lushnjë-Fier dhe Fier-Vlorë. “Shkodër-Hani i Hotit me financim të gjetur, të ratifikuar edhe në Parlament, nuk dihet kur do fillojë. Rruga e Arbrit, e filluar pa një projekt real, pa garanci financimi dhe me ritme të papërfillshme pune. Lushnjë-Fier, afati kontraktual ka mbaruar dhe nuk dihet ende afati i përfundimit. Fier-Vlorë, sipas komunikatës traseja ka përfunduar, media dëshmon se nuk ka asnjë element të rrugës”, - tha Dalipi.
20 Gusht 2008