E Diel, 1 Nëntor 2026

Oketa: “Zona e kraterit në Gërdec paraqet rrezikshmëri të lartë”



Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, nuk përjashton mundësinë e shpërthimeve të tjera pranë zonës së kraterit në Gerdec. Oketa e bëri një deklaratë të tillë gjatë një vizite të zhvilluar dje në fshatin Marqinet, ku i dorëzoi Bashkisë së Vorës ish-repartin e tankeve, i cili do të kthehet në shkollë publike dhe ambiente sportive. Gjatë një bashkëbisedimi me banorë të zonës, Oketa u shpreh se banorët e Gërdecit mund të rindërtojnë larg zonës, ku më 15 mars shpërtheu fabrika e demontimit të armëve, që mori 26 jetë njerëzish dhe shkaktoi miliona lekë dëme materiale. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, dha garancinë se banorët e Gërdecit mund t’i rindërtojnë banesat e dëmtuara. Oketa, duke u bazuar në të dhënat e specialistëve të ushtrisë, tha se vetëm zona e kraterit paraqet rrezikshmëri, por në fshat nuk ka asnjë pengesë për ndërtim. “Zona e kraterit, e cila ka një sipërfaqe prej 800 hektarësh, mbetet me rrezikshmëri të lartë, pasi mund të ketë ende municione të paplasura, edhe pse në sasi mjaft të vogël. Në këtë zonë ende po punohet që të mos ketë më shpërthime”, - tha ai për mediat, gjatë vizitës në Marqinet, fshat i cili bashkë më Gërdecin u prek nga tragjedia e shpërthimit të municioneve. Oketa theksoi se zonat larg kraterit nuk paraqesin rrezikshmëri dhe janë të favorshme për të rindërtuar. “Banorët mund t’i ndërtojnë shtëpitë e tyre jashtë zonës së kraterit, pasi ajo është tërësisht e pastër dhe nuk ka më asnjë municion të paplasur”, - i ka qetësuar banorët ministri Oketa.

20 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›