Në mbarim të verës Topalli përuron hapjen e një shkolle verore
Në fund të sezonit veror, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka përuruar dje hapjen e një shkolle verore. Topalli ka vizituar dje qytetin e Lushnjës, ku ka çelur me iniciativën e saj dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore të Lushnjës, një shkollë verore. Rreth 95 fëmijë, të cilët nuk kanë mundësi për të kaluar gëzueshëm pushimet verore, janë akomoduar në këtë shkollë verore, ku do të kenë mundësinë të argëtohen e të pushojnë. Kjo shkollë, me mjediset e saj bashkëkohore, ofron për këta fëmijë edukim, lexim, njohje me kompjuterin, lojëra, argëtim dhe të gjitha kushtet për një pushim të gëzueshëm. Fëmijët e shkollës verore i rezervuan një pritje të ngrohtë kryetares së Kuvendit, e cila e vlerësoi këtë nismë si një organizim të mrekullueshëm ku ndërthuret edukimi dhe argëtimi i fëmijëve në nevojë. Topalli u ndal e bisedoi me grupet e fëmijëve në mjedise të ndryshme, në atë të njohurive kompjuterike, të leximit, të njohjes me Konventën e të drejtave të fëmijëve, ndërsa u argëtua bashkë me ta nën tingujt e muzikës apo gjatë ndjekjes së një ndeshje futbolli. “Shkolla verore në Lushnjë është një iniciativë pioniere, një model i suksesshëm që besoj do të adoptohet edhe në qytetet të tjera të Shqipërisë. Kjo shkollë verore, si një kulturë e vullnetarizmit që ekziston dhe në shtete të tjera, është një organizim i mrekullueshëm, ku fëmijët do të mund të lexojnë literaturë të pasur, të punojnë në kompjuterë, të luajnë, të dëgjojnë muzikë dhe të argëtohen në mënyra të ndryshme. Stina e verës është një moment ku disa fëmijë nuk kanë mundësi të gjejnë argëtim, dhe mendoj se ky është një rast shumë i mirë që fëmijët ta kalojnë kohën e lirë të gjithë së bashku”, - tha kryetarja e Kuvendit. Topalli vlerësoi dhe falënderoi në mënyrë të veçantë bashkëpunëtorët e ngritjes së kësaj shkolle, të cilat janë gra të suksesshme në rolet e tyre drejtuese në biznes e në art. Në përfundim ajo konfirmoi se shkolla verore do të jetë një iniciativë që do të vijojë edhe në vitet e ardhshme e madje do të përhapet në të gjithë vendin.
20 Gusht 2008