E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensioni i plotë për gratë, kushtet e reja për përfitimin e tij



Jonida Tashi

Mosha e daljes në pension për gratë do të rritet me gjashtë muaj për çdo vit. Kategoria e parë e pensioneve për femrat (ku përfshihen punët e vështira) do të preket më shumë nga rritja graduale e moshës dhe viteve të punës. Mosha e daljes në pension dhe koha e punës për të përfituar pension do të ndryshojnë sipas një skeme të përcaktuar. Për kategorinë e parë, ku përfshihen punët e vështira si puna në minierë mosha e pensionit për femrat nga 49 vjeçe në vitin 2001, do të shkojë 60 vjeç në 2023 dhe vjetërsia në punë, nga 22 vjet do të duhen 35 vjet pune. Për dy kategoritë e tjera, arritja e moshës 60 për daljen e grave në pension do të realizohet më shpejt. Kështu, të gjitha femrat që dalin në pension pas vitit 2014 dhe kanë punuar në kategorinë e dytë, do të dalin në pension pas 35 viteve punë në moshën 60 vjeçe, ndërsa femrat e kategorisë së tretë e arrijnë këtë moshë në vitin 2012. Në të njëjtën mënyrë do të ndryshojë mosha edhe për femrat e punësuara. Mosha e daljes në pension deri në vitin 2023 për kategorinë e parë do të bëhet 60 vjeç, ndërsa u kërkohen 35 vite punë, për kategorinë e dytë mosha 60 arrihet në vitin 2014 dhe për kategorinë e tretë në vitin 2012. Kështu, sipas kësaj rritje graduale, nga data 1 korrik e vitit 2011 e në vazhdim mosha e daljes në pension të femrave që kanë punuar në kategorinë e tretë të punëve bëhet e mbetet 60 vjeç dhe vitet e punës të siguruara për të përfituar pension të plotë do të kërkohen 35, përfshirë dhe kohën e vazhdimit të shkollës së lartë ditën.
Rritja
Aktualisht, një mësuese, për të fituar pension nga data 1 korrik 2008 deri më 30 qershor 2009, duhet të plotësojë këto kushte: moshën 57 vjeçe e gjashtë muaj, 35 vite pune të siguruara gjithsej. Duke filluar nga 1 korriku i këtij viti dhe deri më 30 qershor të vitit 2009, të gjitha ato gra që bëjnë pjesë në kategorinë e dytë të pensioneve dhe duan të përfitojnë pensione pleqërie duhet të kenë mbushur moshën 57 vjeç e 6 muaj si dhe duhet të kenë 35 vite pune të siguruara. Për punë të kategorisë së parë, mosha për të dalë në pension për gratë nuk ka pësuar asnjë ndryshim nga viti i kaluar. Por ndryshe nga dy kategoritë e tjera, këtu shënohet rritje e viteve të nevojshme për të përfituar pension pleqërie. Kështu, periudha e sigurimit të viteve është përcaktuar 29 për gruan për punë të kategorisë së parë nga 28 vite pune që ishte vitin e kaluar.
Mosha
Për punë të kategorisë së dytë, mosha për të përfituar një pension pleqërie është rritur me disa vite më shumë për gratë duke shkuar në 57 vjeç e 6 muaj, ndërsa periudha e sigurimit në vite për këtë kategori është 35 vite pune. Edhe për punë të kategorisë së tretë, mosha për t’u bërë një përfituese e një pensioni pleqërie është rritur me 6 muaj. Pra, për të përfituar pension nga 1 korriku i këtij viti dhe deri më 30 qershor të vitit 2009, gratë që bëjnë pjesë në kategorinë e tretë duhet të kenë mbushur moshën 58 vjeç e 6 muaj. Ndërsa periudha e sigurimit në vite për të dyja kategoritë mbetet e njëjtë me atë të kategorisë së dytë me 35 vite vjetërsi pune. Harku kohor që ka të bëjë me vjetërsinë e punës ngushtohet më shumë kur bëhet fjalë për nënat që janë me shumë fëmijë. Mosha për të përfituar një pension pleqërie për këtë kategori është 50 vjeç, ndërsa kushtet për të plotësuar atë dhe që lidhen me periudhën e sigurimit në vite janë 30 vite vjetërsi pune.

Pensionet deri më qershor 2009

Për punë të kategorisë së parë
Femrat akrobate cirku, soliste të operës, apo valltare, nga data 1 korrik 2008 e deri më 30 qershor të vitit 2009 do të përfitojnë pension të plotë në moshën 52 vjeçe, kur të kenë punuar të siguruara gjithsej 29 vite, përfshirë dhe periudhën e vazhdimit të shkollës së lartë ditën, duke paraqitur kopjen e diplomës së noterizuar. Edhe për këtë kategori punësh, mosha e daljes në pension bëhet 60 vjeç dhe për të përfituar pension të plotë, kërkohen gjithsej 35 vite punë të siguruara, pavarësisht se ç’lloj punësh kanë bërë, përfshirë edhe periudhën e vazhdimit të shkollës së lartë ditën, brenda ose jashtë vendit, me ose pa bursë.
Për punë të kategorisë së dytë
Për të përfituar pension të plotë në intervalin e kohës 1 korrik 2008 deri më 30 qershor 2009 femrat duhet të plotësojnë këto kushte: mosha 57 vjeç e gjashtë muaj; vite pune të siguruara gjithsej, përfshirë dhe kohën e vazhdimit të shkollës së lartë ditën, 35 dhe nga këto 3/4 e 35 viteve të kenë punuar si mësuese apo ushtarake efektive dhe në punë të tjera të përfshira në kategorinë e dytë. Edhe për femrat që kanë punuar në profesionet e mësipërme, gradualisht shtohet mosha e pensionit dhe e viteve të punës derisa nga data 1 korrik e vitit 2008 e në vazhdim ato do të përfitojnë pension të plotë në moshën 60 vjeçare dhe do t’u kërkohen gjithsej 35 vite pune të siguruara, pavarësisht se ku kanë punuar, në punë të kategorisë së parë, të dytë apo të tretë. Sipas ligjit nr.9206, datë 17.6.2004, botuar në fletoren zyrtare nr .49 “Për një shtesë në ligjin e arsimit të lartë”, personeli akademik i brendshëm me titullin “Profesor”, shërben në detyrë deri në moshën 68 vjeç, pavarësisht nga gjinia, me përjashtim të rastit kur me kërkesën e tij; lirohet nga detyra për arsye të plotësimit të moshës së pensionit, sipas neneve 31 dhe 92 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” me gjithë ndryshimet e mëvonshme. Kjo dispozitë ka efekt vetëm për subjektet e mësipërme që kanë mbushur moshën e pensionit, por jo mbi 68 vjeç.
Për punë të kategorisë së tretë
Në punë të kategorisë së tretë, për efekt të daljes në pension, përfshihen: punonjësit e administratës civile, ekonomistët, financierët, juristët, kompjuteristët, menaxherët, përkthyesit, magazinierët, punonjësit e mirëmbajtjes, shoferët, punonjësit e tregtisë, të biznesit, të bujqësisë, të blegtorisë etj. Femrat që kanë punuar në sektorët e mësipërm, nga data 1 korrik 2008 deri me 30 qershor 2009 do të përfitojnë pension të plotë kur të kenë mbushur moshën 58 vjeç e 6 muaj dhe do t’u kërkohen 35 vite punë të siguruara gjithsej, pavarësisht se ku kanë punuar, përfshi dhe shkollën e lartë ditën, duke e vërtetuar me kopjen e diplomës së noterizuar. Nga data 1 korrik 2008 deri 30 qershor 2009, mosha e daljes në pension për femrat që kanë punuar në kategorinë e tretë të punëve shtohet edhe 6 muaj dhe bëhet 58 vjeç e gjashtë muaj, ndërsa vitet e punës për të përfituar pension të plotë mbeten po 35. Me plotësimin e kushteve të mësipërme, punëdhënësit e punëmarrësit sipas nenit 31 të ligjit të Sigurimeve Shoqërore u lind e drejta për të nxjerrë apo për të dalë në pension. Në këtë kuptim, qendra e punës në mirëkuptim me punonjësin që ka plotësuar kushtet për pension, mund ta mbajë përsëri në punë me kontratë të përkohshme, siç mund të jetë rasti i një mësueseje, e cila plotëson kushtet e pensionit disa ditë para përfundimit të vitit shkollor, apo kur ka vështirësi për zëvendësimin e një profesionisti cilësor.

20 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›