E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha ndryshon sloganin e turit të vizitave në të gjithë vendin



Eljona Ballhysa
Kryeministrin i vendit, Sali Berisha, ka vazhduar gjatë ditës së djeshme turin e tij në Jug të vendit. Megjithëse pak ditë më parë u shfaq me një bilanc përmbyllës të turit me sloganin “Shqipëria në NATO”, tashmë kryeministri Berisha ka zgjedhur të vazhdojë turin e tij me një tjetër slogan, “Shqipëria po ndryshon”. Ndërkohë që për turin “Shqipëria në NATO”, kryeministri ishte shprehur shpeshherë se nuk është fushatë zgjedhore, por thjesht njohja e qytetarëve me arritjen e madhe të vendit, siç është anëtarësimi në NATO, duket se turi i ri i Berishës nuk është gjë tjetër veçse një fushatë zgjedhore. Këtë e tregon më së miri dhe slogani i gjetur “Shqipëria po ndryshon”, që është tipik për fushatat elektorale. Por dhe përmbajtja e turit nuk i qëndron larg fushatave elektorale, pasi Berisha është bazuar në reklamimin e investimeve të qeverisë si dhe në premtime.
Turi
Gjatë ditës së djeshme Berisha është ndalur në fshatrat e bregut të Jugut si në Nivicë, Shën Vasil, Borsh, Palermo dhe Vuno. Berisha fillimisht mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e rrugës së re në fshatin Nivicë. Në ceremoninë e këtij inaugurimi kryeministri Berisha u shpreh se qeveria është e vendosur që në të gjitha fshatrat përgjatë bregut të bëjë çdo investim për një infrastrukturë të re dhe me standarde moderne, për rrugë të mira, ujësjellës dhe kanalizime. “Kam ardhur këtu për të inspektuar rrugën si dhe për të bërë një seri inaugurimesh në kuadër të projektit për ndërtimin e infrastrukturës në të gjithë zonën e Bregut, nga Orikumi në Ksamil. Projekti, përveç financimit nga buxheti i shtetit dhe pushteti vendor, ka edhe 37 milionë dollarë financime nga Banka Botërore. Në këtë fond, i cili përfshin dhjetëra projekte do të ndërtojmë të gjithë rrugët, kanalizimet, ujësjellësit e fshatrave të zonës së bregut për të krijuar kushte sa më të përshtatshme për turistët”, - është shprehur Berisha. Ai, gjithashtu, kërkoi që të hartohet projekti për rrugën e Shën Vasilit, si dhe për qendrën e Lukovës, projekte këto që do të kenë mbështetjen e qeverisë.
Më tej, Berisha u ndal në fshatin Shën Vasil, ku mori pjesë në ceremoninë e përurimit të fillimit të punimeve për rikonstruksionin e sistemit të furnizimit me ujë të kësaj zone, ndërsa premtoi se qeveria do të investojë në sistemin e të gjithë ujësjellësve në zonat bregdetare. Ndërsa gjatë vizitës së zhvilluar në fshatin Borsh, Berisha përuroi fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës së kalasë së Borshit. Ndërtimi i këtij objekti parashikon përmirësimin e rrugës që kalon në një zonë panoramike me pamje nga deti, me mur në gjatësi të rrugës, me veshje me gurë, si dhe një parking automjetesh me vlerë rreth 13.7 milionë lekë.
Gjatë kësaj ceremonie kryeministri Berisha u shpreh se qeveria është e vendosur të financojë me përparësi të gjitha projektet që duhen për ta shndërruar Borshin në një zonë më mikpritëse për turistët, si dhe për të shfrytëzuar të gjitha potencialet e mëdha turistike që ai ofron.
Sqarimi
Në përgjigje të banorëve të zonës për çështjen e pronave, kryeministri sqaroi se nuk do të abrogojë Ligjin 7501 për tokën, por do të hetojë titujt e pronësisë që janë marrë padrejtësisht. “Në të gjitha fshatrat e Bregut has ankimime të tilla dhe shumë serioze. Por, duhet të jeni të sigurt që Ligji 7501 nuk mund të abrogohet sepse nuk mund të bëhen dy ligje, një ligj për Bregun dhe tjetër për në zonat e tjera, për shembull për Gjirokastrën apo për Korçën. Ju duhet të dini se çdo padrejtësie të bërë duke keqpërdorur një ligj, i jepet përgjigje dhe zgjidhje me ligjin që sapo ka kaluar në parlament. Të jeni të sigurt se do të investohet dhe do të bëhet çdo përpjekje që ky proces të përfundojë në mënyrë sa më transparente dhe eficente. Unë këtë shqetësim e ndiej në të gjitha fshatrat e Bregut, por nuk më ndodh ta dëgjoj në fshatra të tjera ku unë shkoj. Po përpiqem të hetoj dhe të merrem me këtë çështje, por ligjin nuk e ndryshojmë dot”, - është shprehur kreu i qeverisë.

20 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›