E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet pengmarrësi i një biznesmeni

Ekstradohet pengmarrësi i një biznesmeni, i cili ishte shpallur në kërkim që në vitin 1997. Dhimitri Xhallo është ekstraduar dje, ndërkohë që bashkë me të është ekstraduar edhe një person i dënuar për plagosje. Policia e Shtetit deklaroi se Interpol-Tirana ka sjellë nga Italia drejt Shqipërisë Juraldo Didën dhe Dhimitri Xhallon. Ky i fundit është deklaruar fajtor nga Gjykata e Gjirokastrës, e cila e ka dënuar atë me 13 vjet burgim për rrëmbim personi në bashkëpunim. Sipas vendimit të gjykatës, më datën 22 qershor 1997, rreth orës 08:00, Dhimitri Xhallo, në bashkëpunim me shtetasit Besnik Bakiaj, Shpëtim Beqaraj dhe Adriatik Kasaj, kanë rrëmbyer për qëllime përfitimi shtetasin Kseno Mema. Ata e kanë rrëmbyer viktimën në periferi të Gjirokastrës dhe më pas e kanë çuar në qytetin e Përmetit, ku dhe e kanë mbajtur 10 ditë, derisa më pas kanë përfituar shumën prej 25 milionë dhrahmish greke. Ndërkohë, i ekstraduari tjetër, Juraldo Dida, është deklaruar fajtor nga Gjykata e Lezhës, e cila e ka dënuar atë me 3 vjet burg për plagosje. Sipas vendimit të gjykatës, Dida, më datë 28 maj 2004, rreth orës 14:00, në një rrugicë të fshatit Pllanë, ka goditur në qafë me mjet prerës shtetasin E. D., i cili sapo kishte dalë nga shtëpia e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›