Pranga 24-vjeçarit, grabiti me armë shqiptaro-amerikanin
Kapet autori i grabitjes me armë të shqiptaro-amerikanit, i cili sapo ishte kthyer në Shqipëri për pushime. Ilir Dajti është prangosur nga seksioni kundër vjedhjeve ditën e djeshme, ndërkohë që është shpallur në kërkim një person tjetër. Burimet policore bënë të ditur se ai akuzohet për vjedhjen me armë të një makine, në pronësi të një emigranti shqiptar në SHBA, ngjarje e ndodhur në fillim të muajit maj, në rrugën///////////////// Tiranë-Dajt. Sipas të dhënave nga policia, grabitësit kanë marrë me armë fuoristradën Benz-ML, 5 milionë lekë, 500 dollarë dhe 50 euro dhe më pas janë zhdukur. England M., 39 vjeç, me shtetësi amerikane por me banim të përkohshëm në rrugën e "Dibrës" në Tiranë, kishte bërë denoncimin në polici për faktin se është grabitur nga persona të panjohur, të cilët i kishin marrë përmes dhunës automjetin e tij dhe një sasi parash, si dhe sendet personale. Burime të policisë së kryeqytetit thanë se ngjarja ndodhi kur i dëmtuari po kthehej nga një darkë me bashkëshorten e tij në ambientet e kompleksit "Chateau Linza". Grabitja ka ndodhur mbrëmjen e 5 majit, rreth orës 23:00, në rrugën ///////////////Tiranë-Dajt, ku dy persona ende të paidentifikuar i kanë zënë rrugën një automjeti të markës "Mercedez-Benz ML", me targa amerikane CKA 126 Florida. Sipas deklarimeve të personit të dëmtuar, autorët kanë qenë dy persona të maskuar me maska të zeza në kokë. Një prej tyre mbante në dorë një automatik kallashnikov dhe tjetri mbante një pistoletë. Policia filloi hetimin menjëherë pas denoncimit. Në Komisariatin e Policisë nr. 4 janë shoqëruar disa persona të dyshuar si autorë të grabitjes me armë dhe me maska. Dyshimet e policisë janë adresuar ndaj personave që mund të kenë pasur dijeni për darkën e çiftit shqiptaro-amerikan, në ajrin e pastër të Dajtit. England Mukaj, që prej vitesh banonte në SHBA, dhe që prej disa javësh po qëndronte në Tiranë, ka shkuar disa herë në kompleksin arab në Linzë, ku darkonte me bashkëshorten e tij. Ajri i pastër, sipas deklarimeve të tij në polici, i ishte rekomanduar edhe nga mjekët për gruan e tij të sëmurë. Pas grabitjes, policia nisi punën për kapjen e autorëve, veprim i cili u realizua dje. Sipas policisë, nga seksioni kundër vjedhjeve u arrestua Ilir Dajti, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtorin.