E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet Aldo Bare, policia: Ja akuzat ndaj tij

Policia e shtetit ka bërë të ditur në një konferencë për shtyp për ekstradimin nga Turqia të Alfred Shkurtit, i njohur si Aldo Bare, drejtuesi i organizatës kriminale, të njohur si "Banda e Lushnjës" si dhe ka renditur një sërë akuzash për të.
Për më se një dekadë (10 vjet) Aldo Bare ka qenë në kërkim, por masat aktive u aktivizuan në vitin 2006, kohë në të cilën Polica e Shtetit arriti të godiste me sukses anëtaret e bandës së tij kriminale, që jetonin e vepronin në Shqipëri.
Prokuroria për Krimet e Rënda formuloi akuzën ndaj drejtuesit të kësaj organizate kriminale Aldo Bare për Krijimin e organizatës kriminale, për më tepër se 20 vrasje, për rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, kryerje veprash penale në bashkëpunim nga organizata kriminale.
Sipas policisë Aldo Bare dhe organizata e tij kriminale akuzohen edhe:
- për vrasjen dhe dekapitimin (prerjen e kokës dhe shëtitjen në publik) të Artur Dajës në qytetin e Lushnjës,
- vrasjen në qendër të qytetit të shtetasit shqipataro-maqedonas Xhevat Demiri,
- të vrasjes për shkake të cilësive të veçanta, mbetur në tentativë të shefit të Komisariatit të Policisë Lushnjë Sinan Meta,
- për vendosjen e lëndës eksplozive me telekomandë në stadiumin e futbollit të qytetit të Lushnjës,
- për vrasjen në vitin 2000 të inspektorit të Policisë Krimianle Klejdi Bano,
- për vendosjen në vitin 2001 të eksplozivit në banesën e inspektorit të Policisë së Rendit Idriz Shuli,
- për vrasjen në janar të vitit 2005 të Klodian Haxhiut,
- për vendosjen në mars të 2005 të eksplozivit në banesën e një punonjësi policie në rrugën "Don Bosko" në Tiranë,
- për vendosjen e minës me telekomandë në makinën e ish-drejtorit të Policisë Kriminale Xhavit Shala,
- për vrasjen në vitin 2005 të biznesmenit Baki Taullaut,
- si dhe disa vepra të tjera penale të cilat janë në hetim, për vrasjen e ish-kryetarit të SHIK-ut, të rrethit Lushnjë Bashkim Shkurti, për vrasjen e ish-nënkryetarit të Bashkisë të qytetit Lushnjë Drago Voshtima, vrasje këto të kryera në vitin 1998.
Aldo Bare akuzohet gjithashtu për drejtimin e njërit prej rrjeteve më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës në drejtim të Europës Perëndimore, për të cilat bashkëpunohet me partnerët tanë perëndimor.
Arrestimi dhe ekstradimi i Aldo Bares përbën një sukses të padiskutushëm të Policise Shqiptare, i cili u arrit si rezultat i një pune inteligjente, edhe duke bashkëpunuar edhe me partnerët ndërkombëtar, nëpërmjet së cilës u finalizua identifikimi i plotë i këtij personi, i cili maskohej me emra të ndryshëm, nëpërmjet pasaportave të falsifikuara, me emrat falso Mikel Kodra, Artur Sallabanda etj.
Ekstradimi dhe përballja e tij me drejtësinë shqiptare do ndikojë pozitivish për thellimin e hetimit të kësaj organizate kriminale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›